Një operacion shpëtimi është zhvilluar me sukses në Kanionet e Gjipesë, ku një çift turistësh kishte mbetur i bllokuar pasi njëri prej tyre pësoi thyerje në këmbë gjatë ecjes në terrenin e vështirë.
Pas ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, turisti i dëmtuar u nxor nga kanioni me barrelë dhe u transportua drejt Spitalit të Himarës për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në operacion morën pjesë shërbimet zjarrfikëse të Himarës, Komisariati i Policisë Himarë, Policia Kufitare e Dhërmiut dhe ekipi i Urgjencës së Spitalit të Himarës. Bashkëpunimi mes strukturave bëri të mundur përfundimin me sukses të ndërhyrjes, pavarësisht terrenit të vështirë dhe aksesit të kufizuar.
Autoritetet kujtojnë se incidente të ngjashme janë regjistruar edhe më herët në Kanionet e Gjipesë, duke u bërë apel vizitorëve të tregojnë kujdes gjatë eksplorimit të zonës dhe të jenë të pajisur për ecje në terrene të thyera.



