Polica ka vënë në pranga tre persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me shpërthimin në gurore në Krujë, të dielën ku ka humbur jetën një 55 vjeçar dhe është plagosur një tjetër.
Viktima e kësaj ngjarje ishte Asllan Jaupaj, i cili ishte duke punuar në gurore në fshatin Kurcaj të Krujës, gjatë montimit të minave elektrike, dyshohet se aksidentalisht i shpërthyer njëra prej tyre. Ndërkohë bashkë me të u plagos edhe Gani Demnushi, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Krujë
Arrestohet në flagrancë përfaqësuesi ligjor i gurores në Krujë.
Arrestohen dhe dy shtetas të tjerë, punonjës të firmës.
Si dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, me detyrë administrator dhe drejtues teknik.
Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 01.03.2020, ku në fshatin Kurcaj të Krujës, duke punuar në një gurore të licencuar, gjatë montimit të minave elektrike humbi jetën shtetasi A. J., 55 vjeç dhe mbeti i plagosur shtetasi G. D., 55 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
N. J., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përfaqësues ligjor i firmës.
B. C., 32 vjeç, banues në Kurcaj, Krujë.
G. D., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Si dhe janë shpallur në kërkim policor shtetasit:
K. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator, si dhe shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse”./abcnews.al


