Shpërthimi i shkatërroi shtëpinë, nusja mes lotësh: Jam në qiell të hapur

schedule13:45 - 18 Korrik, 2019

schedule 13:45 - 18 Korrik, 2019

Një tjetër familje ka mbetur pa shtëpi pas shpërthimit të bombolës së gazit në një banesë në fshatin Drashovicë të Vlorës. Aktualisht familja Hoxha nuk ka një strehë, por fatmirësisht pjesëtarët e saj kanë shpëtuar pa lëndime nga ngjarja.

Enkelejda Hoxha bashkë me familjen e saj kanë mbetur në qiell të hapur. Një bombol gazi shpërtheu në banesë duke shkatërruar totalisht shtëpinë ku banonin. Familjarët ishin në banesë në momentin kur ndjenë erën e gazit dhe dolën menjëherë jashtë duke shpëtuar pa lëndime.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe policisë nga shtëpia nuk shpëtoi asgjë. Tani 6 pjesëtarët e familjes nuk kanë ku të strehohen. Nusja e shtëpisë Enkelejda Hoxha mes lotëve bën apel për ndihmë.

“Fatkeqësisht më është djegur shtëpia, jam në qiell të hapur. Të ardhura nuk kam, kjo është familja ime. Nuk kemi gjendje ekonomike. Nuk kam mundësi që të ndërtoj shtëpinë”, tha Hoxha.

Shpërthimi i bombolës në fshatin Drashovicë ishte rasti i dytë i regjistruar gjatë këtyre ditëve në Vlorë. Një tjetër bombol gazi shpërtheu në familjen Selimi në Selenicë duke lënë të plagosur burrë e grua./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!