Autoritetet tajlandeze po hetojnë nëse neglizhenca ishte shkaku i zjarrit tragjik që përfshiu një lokal në Bangkok të dielën vonë në mbrëmje, duke lënë të paktën 30 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Të mbijetuarit kanë deklaruar se disa dyer ishin të kyçura dhe se mungonin sinjalizimet e qarta për daljet emergjente.
Sipas policisë, përdorimi i materialeve shumë të ndezshme në dekorimin e lokalit mund të ketë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, të cilat nisën pranë skenës.
“Kjo tregon mungesë kujdesi dhe shpërfillje të sigurisë së klientëve”, deklaroi të hënën gjenerali i policisë, Kittiratt Phanphet.
Zjarrfikësit gjetën shumë nga viktimat në tualetet në pjesën e pasme të lokalit, ku besohet se ata u përpoqën të shpëtonin, por mbetën të bllokuar. Deri të martën në mëngjes, autoritetet kishin identifikuar 27 nga viktimat, ndërsa mbi 70 persona mbetën të plagosur, 24 prej tyre në gjendje kritike.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër në një kondicioner, i cili ndërpreu energjinë elektrike në të gjithë lokalin.
Megjithatë, persona që e kishin frekuentuar lokalin më herët thanë se ambienti ishte shumë i errët dhe daljet nuk ishin të sinjalizuara siç duhet. Një vizitore, Phatsara Khamloet, tha për BBC Thai se për të arritur në tualet duhej të kalonte nëpër një korridor të ngushtë dhe me kthesa, ndërsa daljet e emergjencës ishin të paqarta.
Ekspertja e sigurisë nga zjarri, Busakorn Saensuk, e cila inspektoi vendin e ngjarjes, tha se dera pranë tualeteve ishte e mbyllur me çelës, ndërsa dy hyrjet kryesore ishin pjesërisht të bllokuara nga mobiliet dhe sende të tjera.
Sipas saj, klientët instinktivisht vrapuan drejt pjesës së pasme për t’u larguar nga flakët, por pasi mbërritën atje nuk mundën të dilnin.
“Nëse tabelat e emergjencës do të ishin të ndriçuara, njerëzit do ta kishin parë se dera ishte e kyçur dhe ndoshta do të kishin arritur ta hapnin”, u shpreh ajo.
Ekspertët konstatuan gjithashtu se skena ishte zbukuruar me materiale shumë të ndezshme, si lule plastike, ndërsa tavani ishte i veshur me shkumë të djegshme, gjë që përshpejtoi përhapjen e flakëve.
Të mbijetuarit tregojnë se skena u përfshi nga zjarri brenda pak sekondash. Grupi muzikor tajlandez “Thotsakan”, që po performonte në momentin e tragjedisë, humbi dy anëtarë.
Profesori i inxhinierisë strukturore, Worsak Kanok Nukulchai, vlerëson se shumë prej viktimave humbën jetën nga thithja e gazrave toksikë përpara se të digjeshin. Sipas tij, materialet e ndezshme prodhuan monoksid karboni dhe cianid hidrogjeni, dy gaze shumë vdekjeprurëse që çlirohen gjatë zjarreve.
Autoritetet konfirmuan se lokali ishte regjistruar si “restorant me muzikë live” dhe jo si “ambient argëtimi”, çka do të thotë se nuk ishte i detyruar me ligj të përdorte materiale rezistente ndaj zjarrit.
Administrata Metropolitane e Bangkokut ka njoftuar se po shqyrton ndryshimin e rregullave për materialet që lejohen në ndërtimin dhe dekorimin e restoranteve dhe ambienteve të argëtimit.
Sipas PBS Thai, pronari i lokalit kishte qenë më parë pronar i një tjetër pub-i në provincën Yasothon, i cili gjithashtu u shkatërrua nga një zjarr në dhjetor të vitit 2019. Në atë rast nuk pati viktima, pasi ngjarja ndodhi gjatë ditës.



