Shkolla me orare të plota, Brataj paralajmëron shtim të infektimeve

schedule15:59 - 4 Tetor, 2021

schedule 15:59 - 4 Tetor, 2021

Nga Ajgena Korbi

Nga e hëna nxënësit janë kthyer në mësim me orare të plota. Në qytet ku shkollat kanë numër të lartë fëmijësh anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve të Shëndetësisë Skënder Brataj nuk përjashton mundësinë  e rritjes së të prekurve nga Covid pas dy  tre javësh. Prandaj ai apelon për respektim të masave mbrojtëse.

“Është fiziologjike që të ketë një rritje të numrit, pikërisht për faktin se këto mosha janë mosha të pavaksinuara. Janë ata që kanë qenë më të izoluar nga ambientet e shkollës…Eksperienca  ka treguar se në të gjitha ato vende ku shkolla ka filluar më përpara ka pasur një rritje.”

Megjithëkëtë  sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare situata epidemiologjike nuk pritet të na çojë në masa më të forta, por vetëm në izolim të vatrave të infeksionit. Por si parashikohet të jetë dimri? Kjo sipas doktor Bratajt do të varet nga numri i të vaksinuarve.

“Ku shfaqet një vatër infektimi, sigurisht që izolohet dhe rifillon pastaj shkolla me kalimin e situatës.”

Ditët e fundit situata epidemiologjike shkaktuar nga vala “Delta” paraqitet e përmirësuar. Të infektuarit, të shtruarit në spitale dhe ata që kërkojnë ndihmë në banesë  kanë pësuar rënie. Kështu pritet të ndodhë dhe me humbjet e jetëve pas dy javësh. /abcnews.al/