SHBA, Irani pritet të fillojnë bisedime jo të drejtpërdrejta

schedule16:49 - 6 Prill, 2021

schedule 16:49 - 6 Prill, 2021

Përpjekjet për të rikthyer Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen e vitit 2015 mbi programin bërthamor të Iranit marrin të martën një nxitje të re, ndërsa dy vendet fillojnë bisedime jo të drejtpërdrejta. Këto bisedime do të jenë në kuadrin e një takimi në Vjenë mes Teheranit dhe pesë fuqive botërore që janë pjesë e marrëveshjes.

Njoftimi i së premtes se Uashingtoni dhe Teherani do të fillojnë bisedimet jo të drejtpërdrejta përmes ndërmjetësve ishte një nga shenjat e para të përparimit të prekshëm në përpjekjet për t’i kthyer dy vendet tek kushtet e marrëveshjes, e cila vendoste kufizime ndaj Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara nuk po presin përparim të menjëhershëm.

“Ne nuk e nënvlerësojmë vështirësinë e sfidave që kemi përpara. Është ende fillimi. Nuk parashikojmë një përparim të menjëhershëm pasi këto diskutime do të jenë të vështira. Por ne besojmë se këto diskutime përmes partnerëve tanë me Iranin, janë një hap i shëndetshëm përpara. ”

I dërguari i posaçëm amerikan për Iranin Robert Malley do të drejtojë delegacionin amerikan në bisedimet e Vjenës në të cilat Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia po kërkojnë të ringjallin marrëveshjen bërthamore, të njohur si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit.

Ish-presidenti Donald Trump kishte nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018, duke zgjedhur një fushatë presioni maksimal përmes sanksioneve.

“Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore e Iranit. Pas pak, unë do të nënshkruaj një Memorandum Presidencial për të filluar rivendosjen e sanksioneve bërthamore amerikane ndaj regjimit iranian”, tha zoti Trump.

Që atëherë, Irani ka shkelur vazhdimisht kufizimet e marrëveshjes, si sasia e uraniumit të pasuruar që mund të ketë në rezerva dhe shkalla e pasurimit të tij.

Lëvizjet e Teheranit synojnë të ushtrojnë presion mbi vendet e tjera në marrëveshje, për të bërë më shumë për të lehtësuar ndikimin e sanksioneve të vendosura nga administrata e kaluar amerikane.

Presidenti Joe Biden ka thënë se kthimi tek marrëveshja dhe tek programi bërthamor i Iranit duke ruajtur kufizimet ndërkombëtare, ishte një përparësi.

Por Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënë dakord rreth kërkesave të Iranit që më parë të hiqen sanksionet.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif shkruante në Twitter të martën se nuk do të kishte takim mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur të “panevojshëm.”/VOA