Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

SHBA godet sërish Iranin, Teherani kundërpërgjigjet me raketa ndaj bazave amerikane në Kuvajt dhe Bahrein

schedule08:02 - 28 Qershor, 2026

schedule 08:02 - 28 Qershor, 2026

SHBA-ja ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj Iranit, pas një sulmi me dron ndaj një cisternë nafte me flamur të Panamasë në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se avionët amerikanë goditën 10 objektiva ushtarake iraniane në dhe pranë Ngushticës së Hormuzit, duke shënjestruar sisteme të mbrojtjes ajrore, pajisje ushtarake, qendra komunikimi dhe depo dronësh. Sipas Uashingtonit, operacioni ishte një përgjigje ndaj “agresionit të vazhdueshëm” të Iranit kundër transportit tregtar detar.

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se ka reaguar duke lëshuar raketa balistike dhe dronë ndaj bazës amerikane Ali al-Salem në Kuvajt dhe Flotës së Pestë Detare amerikane në Bahrein, duke pretenduar se ka goditur tetë objektiva strategjikë.



Një zyrtar amerikan i tha Reuters se nuk ka raportime për viktima amerikane apo dëme të konsiderueshme në bazat ushtarake të SHBA-së në rajon.

Pas përshkallëzimit të fundit, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 17 qershor. CENTCOM deklaroi se Irani kishte shkelur armëpushimin duke sulmuar cisternën MT Kiku, ndërsa Teherani këmbënguli se sulmet amerikane përbëjnë shkelje të marrëveshjes.

Në një deklaratë, IRGC paralajmëroi se çdo agresion i ardhshëm ndaj Iranit do të marrë një “përgjigje shkatërruese” dhe se anijet që shkelin rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit do të përballen me masa më të ashpra.

Edhe Ministria e Jashtme e Iranit dënoi sulmet amerikane, duke i cilësuar si “brutale” dhe duke akuzuar SHBA-në për mosrespektim të angazhimeve të saj ndërkombëtare.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes rrjetit social Truth Social, ku paralajmëroi se nëse Irani vazhdon me sulmet, SHBA-ja mund të “përfundojë ushtarakisht punën” e nisur.

“Mund të vijë një moment kur nuk do të mund të tregojmë më durim. Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më”, shkroi Trump.

Pas sulmeve, Kuvajti dhe Bahreini aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore dhe u bënë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë.

Pavarësisht tensioneve, CENTCOM bëri të ditur se trafiku tregtar në Ngushticën e Hormuzit po vazhdon normalisht.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit, ndërsa zhvillimet e fundit kanë rritur frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tij në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!