Vlora ka ndaluar të gjitha punimet në ndërtimet përgjatë sezonit veror. Vendimi është një masë e marë nga bashkia për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik ndërsa njoftohen qytetarët, bizneset dhe subjektet e ndërtimit se, në kuadër të garantimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror 2026, do të zbatohen masa të veçanta edhe për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda.
Kjo masë do të zbatohet për pikun e sezonit turistik që ka fluks të turistëve të huaj dhe do të zbatohet për periudhën 05 Qershor – 15 Shtator 2026.
Në këtë kuadër parashikohet pezullimi përkohësisht i punimeve të ndërtimit në zonat urbane dhe turistike të Bashkisë Vlorë, përfshirë qytetin e Vlorës, Lungomaren, Skelën, Ujin e Ftohtë, Plazhin e Vjetër, Radhimën, Orikumin, Jonufrën, Nartën, Zvernecin dhe akset kryesore turistike. Përjashtim bëjnë vetëm punimet infrastrukturore dhe shërbimet publike të autorizuara nga Bashkia Vlorë.
Për të shmangur trafikun në qytet parashikohet ndalimi i qarkullimit të mjeteve të rënda mbi 3.5 ton gjatë gjithë ditës.
Po ashtu është ndaluar edhe parkimi i mjeteve mbi 3.5 ton dhe i kamperave në rrugët kryesore të qytetit, përfshirë Lungomaren dhe Bulevardin “Ismail Qemali”.
Këto masa synojnë përmirësimin e qarkullimit rrugor, garantimin e sigurisë publike dhe ofrimin e një eksperience sa më cilësore për qytetarët dhe vizitorët gjatë sezonit turistik.



