Serbia kërkon ndihmë nga Rusia dhe Kina

schedule13:57 - 4 Korrik, 2018

schedule 13:57 - 4 Korrik, 2018

Serbia kundërshton hapur përfshirjen e SHBA-ve në dialogun me Kosovën. Kryeministrja e Beogradit thotë se në rast se kjo ndodh, atëherë duhet të përfshihet edhe Rusia e Kina. Ajo shton më tej se shpreson që palët të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Kërkesa e Republikës së Kosovës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në bisedimet e Brukselit ka nxitur reagime të shumta nga Beogradi zyrtar. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, nuk e sheh të arsyeshme që të ketë shtete të tjera të përfshira në bisedime. Mirëpo, në rast se evropianët miratojnë kërkesën e Kosovës që SHBA-ja të jetë lojtar i ri, atëherë ajo thotë se edhe Serbia do të vërë kushte.

“Nëse angazhohen Shtetet e Bashkuara, me kërkesë të Prishtinës, atëherë me siguri në tryezë duhet të jenë dhe dy fuqitë e mëdha botërore që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Kina dhe Rusia”, është shprehur ajo.

Në një intervistë të publikuar nga gazeta “Novosti”, shefja e qeverisë ka folur për rolin e presidentit Aleksandër Vuçiç në bisedimet me Hashim Thaçin. Ajo thotë se presidenti i tyre mori një përgjegjësi të madhe mbi veten për të zgjidhur barrën e madhe.

“Pritet të ketë një marrëveshje që do të sigurojë të ardhmen e serbëve në Kosovë, stabilitetin e Serbisë dhe rajonit”, është shprehur Bërnabiç.

Në pyetjen se a mund të imagjinohet një situatë në të cilën njerëzit refuzojnë një marrëveshje ligjore me Prishtinën, ajo ka thënë se personat e caktuar duhet të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Do të kemi një kompromis të pranueshëm reciprokisht në tryezë, para së gjithash të pranueshme për Serbinë, besoj se njerëzit do të qëndrojnë prapa presidentit të tyre dhe qeverisë”, ka deklaruar ajo./abcnews.al