Sejko: Kriza ka rritur presionin për të siguruar statistika më cilësore

schedule16:22 - 13 Qershor, 2018

schedule 16:22 - 13 Qershor, 2018

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane organizuan seminarin rajonal në fushën e statistikave të bankës qendrore. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se kriza financiare ka rritur presionin për të siguruar statistika më cilësore dhe të besueshme. Sipas tij, zhvillimi i shpejtë i tregjeve financiare kërkon që statistikat të ecin me të njëjtin hap.

Statistikat e publikuara shpeshherë kontestohen edhe kur ato janë përllogaritur nga një institucionin i specializuar. Është ky një nga qëlllimet e organizimit të seminarit rajonal në fushën e statistikave të bankës qendrore organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane.

Të dhënat e besueshme, të mjaftueshme dhe të ofruara në kohë, janë element i domosdoshëm për vendimmarrje sa më të mirë theksoi guvernatori Gent Sejko.

“Me zhvillimin e ekonomive, tregjeve dhe institucioneve, rritet edhe presioni mbi statistikat për të “ndjekur kahun dhe ritmin” e këtij zhvillimi. Shfaqja e të ashtuquajturit “hendek informacioni” është e pashmangshme në një botë që ndryshon me ritme të shpejta; megjithatë, detyra jonë si agjenci statistikore është të rrisim përpjekjet për ta mbyllur atë sa më shpejt”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se sot nevojitet që të jemi të informuar dhe t’i analizojmë të dhënat ekonomike në dimensione të ndryshme.Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka punuar në disa dimensione për pasurimin dhe përmirësimin e informacionit statistikor.

“Statistikat moderne nuk perceptohen pa mbështetjen e fuqishme të teknologjisë së informacionit për mbledhjen, hartimin dhe shpërndarjen e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2017, ka përfunduar përfshirjen e të gjitha subjekteve raportuese pranë BSH-së në Sistemin Elektronik të Raportimit Rregullator.”

Sipas guvernatorit Sejko, bashkërendimi ndërinstitucional është çelësi i suksesit për prodhimin e të dhënave statistikore shumë dimensionale. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT, i cili deri tani tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka rezultuar mjaft i suksesshëm./abcnews.al