Një 30-vjeçar është arrestuar në afërsi të Konispolit, pasi u kap duke transportuar kundrejt pagesës 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nga Greqia dhe dyshohet se synonin të kalonin drejt Italisë.
Operacioni i koduar “Tranzit” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për parandalimin e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.
Në pranga ra shtetasi V. D., 30 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u kap në flagrancë duke transportuar me një furgon 11 emigrantët, kundrejt pagesës prej 2 500 eurosh për person.
Sipas Policisë, emigrantët kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë dhe dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht në Itali.
Në vijim të veprimeve procedurale, 11 emigrantët u proceduan penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ndërkohë, automjeti i përdorur për transportimin e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


