Teksa perëndimi dhe Uashingtoni vijojnë të paralajmërojnë për masa dhe sanksione ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse tensionet në komunat e Veriut nuk ulen, Mimoza Kusari Lila, drejtuesja e grupit Parlamentar dhe njëkohësisht deputete e Lëvizjes Vetëvendosje akuzon Bashkimin Europian se nuk po i trajton në mënyrë të njëjtë Kosovën dhe Serbinë në Procesin e Dialogut.
“Masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian paraqesin në esencë pabarazinë elementare të trajtimit nga ana e Bashkimit Evropian të dy vendeve të cilat janë në proces të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Është bërë një kohë që ne kemi prezantuar brengat tona në raport me njëanshmërinë qoftë të ndërmjetësit apo edhe të procesit duke u akomoduar shumë e shumë kërkesa të Serbisë në një kontekst të zhvillimeve gjeopolitike për ta tërhequr Serbinë më shumë afër vetes për ta larguar nga Rusia”
Xhavit Haliti, Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve do të ketë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për vendin.
“Një vend si Kosova, ku njerëzit e saj janë prezantuar si pro evropian, pro perëndimor dhe qeveria vepron në kundërshtim me rrjedhën e lumit, në kundërshtim me mesazhet që vijnë nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe të veprojë në kundërshtim me interesat e Kosovës, ky është një gabim dhe pasojat për të ardhmen e Kosovës do të jenë të paparishikueshme”
Xhavit Haliti kërkon nga qeveria e Kosovës që të ndërpresë aventurën politike që ka ndërmarrë dhe të dëgjojë këshillat e ndërkombëtarëve.
“Unë do të dëshiroja dhe uroja që të ndërpriten aventurat politike të Qeverisë dhe prezantimi i Kosovës në botë si një aktor që provokon konflikte. Duhet të zbatojmë kërkesat që perëndimi ka ndaj nesh, ky është një obligim I domosdoshëm i Qeverisë së Kosovës.”
Deputeti I Partisë Demokratike të Kosovës deklaroi se nuk pret një dorëheqje të qeverisë Kurti ndërsa shtoi se në listën e sanksioneve nga Bashkimi Europian dhe dhe Shtetet e Bashkuara të Ameriksës do të ketë edhe pasoja individuale. Xhavit Haliti deklaroi se kryetarët e komunave të veriut që po zgjedhin të qëndrojnë në zyrat e tyre kanë përgjegjësi njësoj si personat që i kanë joshur ata të veprojnë në këtë mënyrë me pushtet./abcnews.al