Samiti i mini-shengenit, pjesëmarrja e Malit të Zi dhe Bosnjes e diskutueshme

schedule16:12 - 19 Dhjetor, 2019

schedule 16:12 - 19 Dhjetor, 2019

Kosova ka konfirmuar tashmë refuzimin për të marrë pjesë në samitin e mini-Shengenit këtë fundjavë ndërkohë që pjesëmarrja e Malit të Zi dhe Bosnjës mbetet e diskutueshme.

Mediat serbe shkruajnë për mundësinë e pjesëmarrjes së presidentit malazez Gjukanoviç, por nuk ka konfirmim zyrtar. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka refuzuar pjesëmarrjen duke thënë se Serbia është një pengesë serioze për shtetësinë e Kosovës dhe se minon në mënyrë të vazhdueshme përpjekjet për konsolidimin e shtetësisë së saj.

Presidenti i Kosovës theksoi gjithashtu se Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës është e diskutueshme.

E përditshmja serbe Danas raportoi duke cituar informacione jozyrtare se ekziston mundësia që Vuçiçit, Zaevit dhe Ramës t’i bashkohet në takim edhe presidenti malazez Milo Djukanovic, i cili nuk mori pjesë në takimet e mëparshme të “mini-Schengenit”. Ndërsa lidhur me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Bosnjë Hercegovinës, një zyrtar në Sarajevë i tha gazetës së “ende nuk ka informacion nëse dikush do të marrë pjesë”.

Pjesëmarrësit e konfirmuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev. Ky është takimi i tretë i mini-Shengenit ballkanik pas atij të Novi Sadit dhe Ohrit dhe ishte parashikuar të mbahej në Durrës. Planet ndryshuar pas tërmetit të 26 nëntorit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!