Ka nisur në Durrës, Samiti i Brno-Brijunit, teksa mikpritës kryesor në këtë takim është presidenti i vendit, Bajram Begaj. Gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj theksoi angazhimin e vendit tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Shqipëria mbështet dialogun rajonal. Vlerësojmë progresin e arritur në këto drejtime. Për ne mbetet instrumenti kryesor për integrimin në BE. Ne përpiqemi dhe kërkojmë që integrimet në BE t’i sjellim në rajon. Aspirata e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE nuk është vetëm një mision politik, por një aspiratë. Shqipëria ka përparime në një kohë të shkurtër. Këto nuk janë vetëm gurëthemeli, por përparësi në institucionet dhe legjislaturën tonë. Shqipëria kërkon që të bëhet anëtare e BE deri në vitin 2030”, tha presidenti Begaj.
Samiti mbahet në Durrës, ku të pranishëm janë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Kroacisë dhe Sllovenisë, tashmë anëtare të BE-së. Në fokus të samitit ishte bashkëpunimi rajonal, dhe koordinimi për integrimin në Bashkimin Europian.
Në qendër të diskutimeve, temat më kritike për të ardhmen e rajonit: bashkëpunimi mes vendeve fqinje, Planin e Rritjes së BE-së, mbështetja për rininë dhe dinamika të reja për afrimin me Bashkimin Europian./abcnews.al



