Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një lidhje me Skype në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo deklaroi se është blerë një numër i ri testimesh dhe kitesh për të analizuar pacientët e dyshuar me Covid-19.
Manastirliu tha se blerja e tamponëve dhe testeve bëhet sipas rekomandimit që japin ekspertët e shëndetit. Ajo deklaroi se ndërkohë që e gjithë bota po përballet me probleme në lidhje me testimet, Shqipëria nuk ka patur pengesa.
Biseda:
Endri Xhafo: Ju keni raportuar një numër të ulët testimesh ndërkohë që OBSh rekomandon të bëhen sa më shumë teste. Sa tamponë kemi sot?
Ogerta Manastirliu: Unë vërtetë jam ministre e shëndetësisë dhe drejtoj shëndetësinë, por puna jonë drejtohet nga ekspertët. Vendimi për realizimin e testimeve bëhet nga komiteti i ekspertëve sipas rekomandimeve të OBSH. OBSH u shpreh se të testosh do të thotë të testosh rastet e dyshuara për të shkëputur zinxhirin e infeksionin.
Ne deri më sot kemi realizuar 697 testime. Ne kemi marrë vendimet hap pas hapi. Ne kemi marrë vendimin për të hapur edhe një laborator tjetër ku do të kryejmë analiza dhe testime të covid-19.
Përpara pak ditësh jemi furnizuar me tamponë dhe teste dhe do të vijojmë të furnizohemi në vazhdim. Jo vetëm kemi marrë masa por kemi mbështetjen e OBSH për arritjen në kohë të testeve dhe tamponëve.
Gjithë përpjekjet e qeverisë janë direkt për mbështetje të financimit. Nëse ekspertët vlerësojnë se ne do të duhet të shtojmë numrin e testeve patjetër do të rrisim këtë numër. Ekspertët kanë vlerësuar një protokoll. Ne do shkojmë sipas protokollit të ekspertëve.
Masa e testimit bëhet që të marrësh vendime për tu vendosur masa të reja. Ne ndërkohë i kemi marrë masat e reja. A ka bota problem me testimet, po ka. Por ne deri tani nuk na ka munguar ardhaja e kiteve, tamponëve dhe reagentëve.
Në vazhdim ne do bëjmë atë që ekspertët sugjerojnë. Nëse ekspertët vendosin që të shtrihet testimi dhe gama për të marrë vendime më pas se si do të sillemi në vazhdim, patjetër që do ta marrim.
Endri Xhafo: Nga e morët furnizimin?
Ogerta Manastirliu: Është një furnizim që kemi marrë nga ISHP. Është bërë nga një laboratorë i sigurtë i cili prodhon kite dhe reagentë për të testuar Covid-19, dhe i cili është laborator i biosigurisë së lartë i cili ofron me garanci testimin e mostrave./abcnews.al