Ka njerëz që e jetojnë historinë, por ka të tjerë që, në një moment të jetës, bëhen vetë historia. Hashim Thaçi i përket kësaj të dyte.
Për gati tri dekada, emri i tij ka udhëtuar nëpër disa prej kapitujve më të trazuar të Kosovës. Nga rrugët e Drenicës, te zyrat e diplomacisë ndërkombëtare. Nga lufta, te tryezat e negociatave. Nga kryeministria, te presidenca. Dhe nga maja e shtetit të Kosovës… në qelinë e paraburgimit në Hagë.
Gjithçka nisi në rrugët e Drenicës, aty ku liria ishte për dekada një endërr e largët, aty ku Hashim Thaçi do të shndërrohej në një prej figurave më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës.
Hashim Thaçi lindi më 24 prill 1968 në Burojë të Skenderajt. U rrit në Drenicë, në një trevë ku historia e përplasjes me pushtetin serb ishte pjesë e kujtesës së çdo familjeje.
Ndërsa Kosova jetonte nën presionin e regjimit të Slobodan Millosheviçit, Thaçi u përfshi në lëvizjen politike dhe rezistencën shqiptare. Ai iu bashkua kauzës për pavarësi teksa ishte student dhe u shndërrua në njërin nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes protestuese të fillimviteve ’90.
Pas shumë viteve rezistencë paqësore, shumë të rinj e të reja shqiptare të Kosovës, filluan të otganizoheshin për një rezistencë të armatosur. U krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe Thaçi ishte një nga themeluesit e saj.
Me intensifikimin e presionit serb ai u largua për në Zvicër, ku studioi histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Zyrih.
I kthyer në Kosovë si figurë kyçe e lëvizjes guerrile, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai mori nofkën “gjarpri” për shkak të shkathtësive të tij në shmangien e policisë serbe.
Më pas do të bëhej një prej figurave drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fillim të vitit 1999, Thaçi ishte udhëheqës i ekipit negociator të shqiptarëve të Kosovës në Rambuje të Francës, ku bashkësia ndërkombëtare ofroi një plan paqeje mes shqiptarëve dhe serbëve. Në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare, përballë Serbisë dhe nën sytë e fuqive më të mëdha të botës, Kosova kërkonte një rrugë drejt paqes dhe lirisë. Shqiptarët e nënshkruan planin, por Beogradi e refuzoi.
Hashim Thaçi shfaqej tashmë si një prej përfaqësuesve kryesorë politikë të shqiptarëve të Kosovës. Një kthesë që do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tij. NATO filloi bombardimet kundër ushtrisë dhe policisë serbe më 24 mars 1999.
Verën e vitit 1999 lufta përfundon. Forcat serbe largohen nga Kosova. Dhe për shqiptarët, një ëndërr e gjatë nis të marrë formë. Por për Thaçin, lufta nuk kishte përfunduar. Thjesht kishte ndryshuar front, uniforma do të zëvendësohej me kostumin dhe fusha e betejës me politikën.
Pas luftës, Hashim Thaçi hyn fuqishëm në politikën kosovare; Themelon Partinë Demokratike të Kosovës dhe nis një tjetër betejë: ndërtimin e institucioneve të një Kosove të re.
Në vitin 2001 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e para pas luftës, por Partia e Thaçit i humbi ato, dhe ai vazhdoi rrugëtimin e tij si opozitar.
Vetëm pas 6 vitesh, në zgjedhjet e treta pas lufte, në nëtor të vitet 2007 PDK fiton zgjedhjet parlamentare dhe Thaçi bëhet kryeministër i Kosovës.
Tre muaj më vonë, më 17 shkurt 2008 vjen një nga momentet më të mëdha të jetës së tij politike, Pavarësia e Kosovës.
Efekt 17 Shkurti, Kuvendi
Thaçi lexoi deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, dhe deputetët e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Një fjali historike. Një moment që për shqiptarët e Kosovës kishte ardhur pas dekadash pritjeje, rezistence dhe sakrifice.
Por historia politike e Thaçit nuk ndalet këtu. Ai drejton qeverinë për dy mandate.
Teksa ishte në mandatin e tij të dytë, në vitin 2011, senatori zviceran në Këshillin e Europës, Dick Marty, publikoi një raport ku akuzon Thaçin dhe disa udhëheqës të tjerë të lartë të UÇK-së për për kryerje të krimeve të luftës, gjatë dhe pas saj.
Në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën, për t’i hapur rrugë krijimit të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, të cilët do të hetonin pretendimet e ngritura nga Dick Marty. Dhe për ngritjen e kësaj Prokurorie dhe Gjykate, Hashim Thaçi ishte më i zëshmi në rradhët e ligjvënësve në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, nëse Kosova nuk do ta hidhte këtë hap, do ta bënte Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bahkuara.
Viti 2016 shënon ngjitjen në majën më të lartë të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi bëhet President i vendit. Edhe në krye të shtetit, Thaçi nuk e ndali misionin e tij parësor; negociatat me homologun serb Aleksandër Vuçiç dhe përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimatre me shtetin serb. Përpjekje, të cilat Thaçi nuk i ndali asnjëherë, por i vijoi deri në ditët e fundit në krye të shtetit të Kosovës.
E teksa ishte duke udhëtuar drejt Uashingtonit për një raund tjetër negociatash me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, qershori i vitit 2020 kishte rezervuar atë që konsiderohet si padrejtësia më e madhe e viteve të fundit: Prokuroria në Hagë kishte paraqitur aktakuzë ndaj tij.
Thaçi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit, për t’i hapur rrugë, me kokën lart, drejtësisë. Për të mbrojtur integritetin e Kosovës, asokohe lideri i shtetit, iu dorëzua hetimit, duke e konsideruar këtë si çmimin e rradhës që kërkohet të paguajë për lirinë e atdheut. “Unë jam me fat që jam gjallë dhe e kam parë me sytë e mi ëndrrën tonë shekullore të bëhet realitet”- deklaroi Thaçi përpara se të transferohej drejt Hagës si hero i mbarë shqiptarisë.
Që prej asaj dite, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Kosovës ndodhet pas dyerve të paraburgimit. Por në sallën e gjyqit, historia dhe drejtësia nisën një tjetër përballje.
Ky proces, i cili shihet gjerësisht si i motivuar politikisht nuk mund të ndajë emrin Hashim Thaçi nga historia e luftës së Kosovës dhe nga rruga që çoi në pavarësinë e saj.
Një burrë që e nisi rrugëtimin nga një fshat i Drenicës, u bë një prej emrave kryesortë luftës për lirinë e Kosovës dhe më pas një prej firmëtarëve politikë të shtetit të saj të pavarur.
Për historinë e tij mund të ketë debate, për vendimet e tij mund të ketë kundërshti. Por për një pjesë të madhe të shqiptarëve në mbarë trojet shqipfolëse, emri i Hashim Thaçit mbetet i lidhur me një fjalë të vetme: Lirinë!

