Pavarësisht sfidave nga kushtet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore, eksportet e bujqësisë shqiptare drejt Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera kanë shënuar një rritje pozitive gjatë 7-mujorit të parë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri me dije në një intervistë për “Toka Jonë” se vlera e këtyre eksporteve ka arritur në rreth 380 milionë euro, duke u rritur me 2.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo ecuri pozitive i atribuhet përmirësimit të standardeve, cilësisë së lartë të produkteve dhe zgjerimit të sipërfaqeve me sera, fruta-perime e bimë medicinale. Për të përballuar kufizimet e sipërfaqes tokësore, qeveria synon të gjejë mekanizma mbështetës për fermerët vendas me qëllim ruajtjen e ritmeve të rritjes në tregjet ndërkombëtare.
“Bujqësia në një vit mund të themi që ka pasur problemet e saj, qoftë nga moti, apo problemet e zjarreve dhe gjithë situatave që kanë pasur nga fatkeqësitë natyrore. Megjithatë ne kemi pasur një rezultat shumë të mirë nga eksportet vendase në BE dhe në vendet e tjera. Në 7-mujorin e parë kemi pasur rreth 380 milionë euro, që është një shifër që nga viti i kaluar është 2.3% më shumë. Përtej vështirësive fermerët shqiptarë kanë punuar.
Tregu vendas po zë një rol shumë të rëndësishëm. Eksportet kanë rëndësi për cilësinë, ne konkurrojmë me cilësi, kemi pasur një përmirësim të standardeve dhe të cilësisë. Ne kemi konkurruar deri tani me cilësi. Ne jemi duke u rritur në seria, fruta-perime, por edhe në bimët medicinale që zënë një rol të madh.
Serat janë duke u rritur çdo vit. Fermerët kërkojnë sipërfaqe për të ndërtuar serrat. Duke qenë se sipërfaqja e tokës në Shqipëri është e vogël duhet të gjejmë një mekanizëm, që fermerët të kenë mundësi të punojnë dhe ne t’i ndihmojmë me mënyrat tona”, tha ministri Salla.

