Rritet numri i grabitjeve të makinave luksoze në Tiranë

schedule14:30 - 2 Gusht, 2019

schedule 14:30 - 2 Gusht, 2019

Një automjet është grabitur çdo tre ditë në Tiranë. Hajdutët kanë në fokusin e tyre mjetet luksoze, ndërsa pre më së shumti gjatë muajit korrik kanë rënë emigrantët.

“Automjetet luksoze në Tiranë, vijonë të jenë objektiv i grabitësve.Në muajin korrik, sipas shifrave të policisë së Shtetit, u vodhën 10 makina të shtrenjta”.

Në kulmin e sezonit veror, veç vjedhjes së banesave shtohen ndjeshëm edhe grabitjet e automjeteve.

Emigrantët që kthehen në atdhe bien më së shumti pre e hajdutëve. Të dhënat e policisë tregojnë se 1 automjet grabitet çdo tre ditë në Tiranë dhe keqbërësit synojnë më shumë makinat e shtrenjta. Krahasuar me korrikun e 2018 numri i automjeteve të vjedhura ka qenë pothuajse i njëjtë, por është janë rritur grabitjet veçanërisht për makinat luksoze.

Ky numër në rritje gjatë muajit korrik përkon me kthimin e emigrantëve në vendlindje, të cilët një pjesë udhëtojnë bashkë me makinat e tyre. Sipas seksionit kundër vjedhjeve në policinë e Tiranës rastet kur hajdutët veprojnë më së shumti janë në zona të pasigurta, si mungesa e ndriçimit dhe ambientet që nuk janë të monitoruara nga kamerat e sigurisë.

Makinat janë grabitur kryesisht në parkingje, ndërsa markat më të preferuara kanë qenë “Mercedes-Benz”, “Range Rover” “BMW” dhe “Audi”.

Problem mbetet zbulueshmëria dhe prangosja e autorëve. Një pjesë e madhe e automjeteve të vjedhura çmontohen dhe shiten për pjesë të përdorura në tregun e zi, brenda vendit.

Gazetar, ABC News: Andi Qosja