Roshi pranon gabimet, Bare shpreson për Islandën

schedule15:55 - 8 September, 2019

schedule15:55 - 8 September, 2019

Futbollistët e kombëtares pranuan diferencën me Francën në ndeshjen e Europianit dhe deklaruan se tani duhet menduar për duelin ndaj Islandës.

Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se humbjen e merituam.

Futbollistët e kombëtares nuk është se vrapuan të flisnin para kamerave, për duelin e Europianit ndaj Francës, ndërsa u përpoqën të qetësonin veten dhe të shikonin përpara.

Kapiteni Mërgim Mavraj theksoi për Supersportin të metën kryesore të ekipit, por edhe nuk pranoi që gjithçka të quhej negative.

“E dimë që me skuadra të tilla është shumë e vështirë, kur nuk e qarkullon topin, por besoj që golat e parë ishin gabime shumë të thjeshta, shumë të lehta. Nuk ju jap të drejtë kur thoni që ishte zhgënjyese. Nuk shoh arsye pse me pa këtë ndeshje kaq radikal se e dimë të gjithë kush është Franca”, tha Mavraj.

Odise Roshi edhe u kritikua për gabimet, edhe u quajt fatkeq që u vendos në atë pozicion nga trajneri Reja.

“Është e vërtetë, u ndjeva në vështirësi sepse luajta ndaj dy kundërshtarëve shumë të fortë dhe shumë të shpejtë. Ata e shfrytëzuan shpejtësinë e tyre. Na ndëshkuan që në minutat e para, por lozëm me një sistem me 3-5. Unë bëra maksimumin tim dhe tashmë shpresojmë në ndeshjen e ardhshme ndaj Islandës, të marrim një rezultat sa më të mirë”, tha Roshi.

Një lojtar që Reja e vlerësoi maksimalisht ishte Keidi Bare.

“Çdo lojtar shqiptar do të donte të lozte këtë ndeshje sidomos përballë Francës. Dola nga fusha… i dhashë të gjitha unë dhe shokët e mi, megjithatë rezultati ishte negativ”, tha Bare./ABC News Albania 24/7