Riza: Derbi, vitrina e Superiores! Do mbushej edhe “Arena Kombëtare”

schedule22:21 - 26 Shtator, 2019

schedule 22:21 - 26 Shtator, 2019

Florian Riza, ish-sulmuesi i Tiranës, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News, ka deklaruar se shumë klube duhet të marrin shembull nga Tirana dhe Partizani për mënyrën se si e trajtojnë derbin.

“Nuk ka ndeshje tjetër vitrinë, është gjëja më e bukur e futbollit tonë. Kjo edhe prej  tifozëve, që bëjnë dekore të bukura dhe mbështesin skuadrat. Ndeshja merr emocione të mëdha në çdo aspekt dhe ngrihet ne nivel të lartë. Këtë shembull duhet të ndjekin të gjithë, pasi ka edhe ndeshje të tjera derbi”, tha Riza fillimisht.

“A do mbushej Arena Kombëtare? Para viteve ’90 vinin rreth 20 mijë tifozë. Kur ishte me ulëse shkonin 17 mijë. Atëherë ishte normale. Ky interes mund të jetë zgjuar për ndeshjen e radhës. Besoj se deri në 22 mijë do të vinin. Ka kureshtje, pasi stadiumi kombëtar është i jashtëzakonshëm. Është impiant modern dhe është kënaqësi edhe për të parë stadiumin”.

“Ana financiare? Nuk vlen vetëm për derbin. Nëse duam klube me buxhete të forta, duhet që gjithçka të nisë nga prerja e biletave”.

“Mbrojtja? Janë bërë investime për të fituar titullin për 100 vjetor. Kjo ka bërë që edhe organika të tejmbushjet. Ju sjell një rast. Në vitin 2002-2003 ishin 28 lojtarë. Vetëm 11 luajnë. Duhet ekuilibër, edhe për dublimin. Kur ke shumë lojtarë duhen menaxhuar në mënyrë perfekte”.

“Nuk del kampion me buxhet, duhen bërë bashkë shumë gjëra. Përgjegjësia del në fund të një sezoni. Këtu te ne është edhe javore. Nëse nuk fiton të javës, edhe mund të largohesh. Unë jam për stabilitet, që ky trajner të qëndrojë deri në fushë”.

“Tirana nuk bleu lojtarë, mori disa nga Flamurtari. U prish ai ekip dhe përfituan. Nuk është se ka transferime te Tirana. Nëse flasim për investime, duhet që të rikthehet ai. Duhet të lëvizin para që të ketë transferime”.

“Sulmi është forca e Tiranës, aty forcohet një ekip. Sot futbolli është i tillë që edhe qendërmbrojtësit të ndihmojnë përpara”.

“Partizani ka nisur përgatitjet shumë para të tjerave. Luajtën disa ndeshje në Europë. Kjo u ka dhënë një përparësi në aspektin fizik dhe të lojë. Rezultatet edhe nuk vijnë ndonjëherë. Tirana nuk luajti në Europë dhe formën e merr nga ndeshja e shtatë, ndeshje e tetë. Javët e para nuk janë testet reale, tani nisin dhe shikohet forca e ekipeve. Është herët për të folur”.

“Ai që mbrohet më shumë ka avantazh. Episodet vendosin këto lloj ndeshjesh. Ndeshja mund të prodhojë karton të kuq, dalje nga loja të ndonjë lojtari, apo që trajneri të mos japë zgjidhjet e duhura. Mendoj se episodet do vendosin, si dhe menaxhimi i situatës në rast pësimi gola. Trauma në derbi është më e madhe. Duhet më shumë kohë ta menaxhosh situatën”.

“Mungesa e rezultateve e vë në vështirësi trajnerin. Në vendin tonë largohen shpejt. Nuk ndodh vetëm me Lerdën. Duhen respektuar më shumë trajnerët. Rezultatet janë tre. Nuk do të thotë që të hiqet trajneri sa herë humb”. /abcnews.al