Mbi 9 mijë aplikime janë regjistruar deri tani për procesin e rivlerësimit të pronave, i cili po shfrytëzohet kryesisht nga individët dhe bizneset që kanë një plan konkret shitjeje.
I ftuar në “Money Report” në ABC News, eksperti i pasurive të paluajtshme, Indrit Avdiu, deklaroi se tregu aktualisht po përballet me një ngrirje të çmimeve dhe një lloj ngërçi të nisur që nga muaji janar.
Sipas tij, zonat që po tërheqin interesin më të lartë në Tiranë janë Unaza e Re, Fresku dhe Paskuqani. Pavarësisht dilemave të momentit mes blerësve dhe shitësve, eksperti parashikon një stabilizim dhe ngrirje të mëtejshme të çmimeve për pjesën e dytë të vitit.
“Ka pasur një numër aplikimesh prej më shumë se 9 mijë. Kjo është një tregues, që tregon se Shqiptarët e kanë lënë këtë proces rivlerësimi, ata që e kanë në shitje. Për momentin interesat kanë qenë për ata që kanë pasur diçka konkrete, që të përfitonin më shumë nga shitja e pronës së tyre.
Unë mendoj që do të ketë një rritje, në këtë fazë ku jemi eshë shumë herët për të nxjerrë një përfundim. Mendoj që mund të jetë edhe sjellja e konsumatorit për t’i lënë gjërat në fund. Interesi ka qenë i njëjtë si nga ana e individëve, po ashtu edhe i bizneseve. Sa u takon çmimeve të banesave, procesi i rivlerësimit nuk do të japë një impakt shumë të madh për procesin e rivlerësimit. Periudha nga janari, ka qenë një periudhë në ngërç.
Kjo ka sjellë një lloj ngritje të çmimeve, sepse edhe blerësit edhe shitësit janë në dilemë për tregun imobiliar. Aktualisht kemi një ngrirje të çmimeve. Në Tiranë zonat që kanë pasur një interes të lartë janë zona e Unazës së RE, Fresku dhe Paskuqani. Në pjesën e dytë të vitit mund të kemi një stabilizim dhe një ngrirje të çmimeve”, tha eksperti.



