TIRANË- Gjermanët prishin festën e Sali Berishës. Peter Bajer, përfaqësuesi i CDU, në një mesazh në distancë për Kuvendin e Partisë Demokratike thotë se ka ardhur koha që kjo parti të ketë kryetar të ri dhe lidership të ri.
Beyer , i afërt me Jorida Tabakun, pak vite më parë deklaroi hapur se Sali Berisha ishte “non grata” politikisht edhe për europianët, por mesazhi i tij në Kuvendin e PD ishte një dhuratë e hidhur për Berishën dhe shpresën e tij për një ripërtëritje personale, pas rizgjedhjes më 23 maj.
Alesia Balliu, e ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, u shpreh se Kuvendi i PD-së nuk solli risi, por riktheu mashtrimin e radhës që Berisha u përcolli demokratëve.
Ajo komentoi edhe “bombën” gjermane të hedhur kundër Berishës, e artikuluar nga deputeti i CDU, Peter Beyer, i cili tha se demokratët duhet të zgjedhin një kryetar të ri.
“Disa skllevër u zëvendësuan me skllevër të tjerë. Nuk pashë ndonjë risi, por pashë vetëm gjuhën e vjetër të Berishës për të dhënë mashtrimin e radhës. Ndërkombëtarët duan ta shpëtojnë PD nga kthetrat e familjes së Berishës dhe sot Partitë Popullore Europiane e dhanë këtë mesazh”, deklaroi Balliu.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ibsen Elezi, i cili kritikoi mënyrën e funksionimit të partisë dhe mungesën e reagimit ndaj asaj që ai i cilësoi si shkelje të rregullave të brendshme.
Ai theksoi se misioni i Sali Berishës me shumë gjasë është shkatërrimi i Partisë Demokratike.
“Nuk ka kurajë për t’u thënë stop shkeljeve të rregullave në atë parti. Disa individë nuk kanë kurajë t’i thonë ‘stop’ Berishës. PD, me këtë kurs, do të shkojë drejt tkurrjes së saj. Misioni, me sa duket, është për ta shkatërruar këtë parti. Shkatërruesi i PD është vetëm Saliu . Partia Demokratike është pa lista të sakta”, u shpreh Elezi./abcnews.al


