Chelsea pagoi 80 milion euro tek Athletic Bilbao për kartonin e Kepa Arrizabalaga verën e vitit 2018. Një shumë rekord për një portier, teksa 26-vjeçari spanjoll nuk i ka plotësuar pritshmëritë dhe investimin e madh.
Frank Lampard e uli në stol dhe nuk i kurseu kritikat ndaj tij, ndërsa ardhja e Tuchel në stolin e Chelsea ka “ringjallur” gjithë skuadrën londineze, mes tyre edhe Kepan, i cili prek disa tema në prononcimin e dhënë për El Partidazo de Cope.
“Nuk e di nëse do të jem titullar ndaj Atletico Madrid. Pyesni trajnerin. Ka luajtur pothuajse gjithmonë Mendy, por kohët e fundit Tuchel më ka dhënë besim. Nuk kemi nisur akoma ta përgatisim atë ndeshje, edhe pse mendjen e kemi aty.
Ata ndodheshin në formë të shkëlqyer disa muaj më parë, teksa ne po e marrim veten. Të dy skuadrat kanë shanse të barabarta për t’u kualifikuar.
Suarez? Nuk e kam frikë, ama shpresoj të mos jetë në ditën e tij më të mirë. Duhet ta mbajmë nën kontroll këtë lojtar. Cilin do i hiqja Atleticos? Jan Oblak, portierin.
Lampard? Nuk kam pasur probleme me të, ndoshta thjesht nuk arrita të shfaq vlerat e mia. Kemi pasur një raport korrekt dhe me respekt të ndërsjellët, edhe pse nuk kam luajtur aq sa doja.
Largimin nuk e kam menduar kurrë si opsion. Kur humbas postin e titullarit, u fokusova vetëm te ideja për ta rifituar sërish atë. Klubi më mbështet, kam treguar se mund të jem i vlefshëm dhe dua të ndihem sërish i rëndësishëm“, përfundoi portieri iberik. /abcnews.al



