Riafrimi Athinë-Ankara, aleanca e çuditshme mes inateve të vjetra

schedule16:41 - 9 Shkurt, 2019

schedule 16:41 - 9 Shkurt, 2019

Kryeministri grek Tsipras vizitoi Ankaranë me misionin për të rivenmdosur marrëdhëniet dy palëshe prej kohësh në tension për tema të ndryshme. Dhe pse pritshmëritë ishin të pakta, projekti ende në proces po konsiderohet si një aleancë e çuditshme.

Dikur urreheshin shumë, por gjërat ndryshojnë. Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Athinës nuk kanë qenë gjithnjë të qeta. Por gjërat kanë ndryshuar pjesërisht në muajt e fundit edhe për shkak të përpjekjes së qeverisë greke për të tërhequr investitorë. Një arsye e fortë për riafrimin e dy ish-armiqve. Dhe ky riafrim kalon nëpërmjet vizitës historike të kryeministrit grek Tsipras në seminarin ortodoks të Halki. Presidenti turk Erdogan ka sugjeruar shpesh se rihapja e dyerve do të varej nga masat reciproke të Greqisë, si për shembull përmirësimi i jetesës i minoritetit mysliman në veri të shtetit grek, një nga kërkesat është që myslimanët të kenë të drejtë të emërojnë myftitë e tyre. Tsipras kreu dhe një vizitë simbolike në bazilikën e Shën Sofisë në Stamboll. Erdogan në takimin me kryeministrin grek u ndal sidomos në mbrojtjen që Athina i ka ofruar tetë ushtarëve të dyshuar se kanë marrë pjesë në përpjekjen për grusht shteti në 2016-n. Presidenti turk tha se ajo që pret nga Greqia është që të mos transformohet në një strehë për anëtarët e grupeve terroriste.

Por takimi i tyre kishte si objektiv kryesor sidomos uljen e tensionit që ka dominuar marrëdhënien mes dy vendeve prej vitesh. Edhe pse takimi nuk i dha dritën jeshile progreseve të mëdha, sigurisht, që janë hedhur themelet për vendime të ardhshme historike. Takimi zgjati dy orë më shumë se sa ishte parashikuar. Erdogan nga ana e tij prmetoi se takimet e ardhshme do të çojnë përpara çështjet e lëna pezull dhe mbi të gjitha do të lënë hapur kanalet e komunikimit sepse të dy palët janë dakord për domosdoshmërinë e zgjidhjes në mënyrë paqësore të problemeve që i ndajnë. Turqia dhe Greqia janë përplasur në beteja të ndryshme të hapura gjatë dy shekujve të fundit: hera e fundit që kanë qenë në prag të një lufte ishte në vitin 1996 për shkak të një ishulli të vogël në Egje.

E për këtë pikë kryeministri Tsipras u shpreh se të dy mbështesin domosdoshmërinë e një dialogu për të reduktuar tensionin në Egje dhe të gjejnë një zgjidhje në Mesdheun lindor të bazuar në rregullat ndërkombëtarë. Dhe pse të dy vendet bashkëpunojnë për gazsjellësin dhe projektin Turkstream, që synon të sjellë gazin rus në Bashkimin Europian, në Mesdheun lindor, ku janë zbuluar rezerva të shumta hidrokarburesh, tensionet nuk janë zvogëluar. Rezervat më të mëdha nënujore janë gjetur në Izrael, Egjipt dhe Qipro,por ky i fundit mbetet i ndarë që nga viti 1974, një pjesë në gjuhën greke, e njohur në nivel ndërkombëtar dhe një pjesë turke, të cilën e njeh vetëm Ankaraja. Qeveria turke pretendon se deri në momentin që konflikti i Qipros nuk do të zgjidhet, nuk do të lejojë eksplorimin, të paktën deri sa autoritetet e Nikozias nuk do të pranojnë të ndajnë të ardhurat me turko–qipriotët. Dhe për të dëshmuar këmbënguljen e tij, ka dërguar disa anije ushtarake për patrullimin e zonës.

Ndërkohë, Athina mbajti negociata me autoritetet e Qipros, Egjiptit, dhe Izraelit, me të cilin Ankaraja ka marrëdhënie të këqija ose inekzistente për të arritur një marrëveshje se si të kapitalizojnë në mënyrë të përbashkët rezervat e hidrokarbureve. Para takimit mes Tsipras dhe Erdogan, zëdhënësi i qeverisë turke pas mbledhjes së ekzekutivit deklaroi se Turqia nuk do të tolerojë në vendimet e marra në Mesdheun lindor, pavarësisht se nga cilat të drejta sovrane i ushtrojnë. Pavarësisht kësaj, gjatë takimit Erdogan-Tsipras, të dy liderët konfirmuan impenjimin e tyre për të bashkëpunuar në përpjekje për të ribashkuar Qipron, në momentin që partitë vendore do të vendosin të fillojnë raundin e radhës së negociatave, pas dështimit të një numri të madh përpjekjesh të pafrytshme.

Gjithësesi, të dy qeveritë kanë gjetur një terren të përbashkët për çështje më pak delikate. Tsipras dhe Erdogan vendosën të rivendosin lidhjet tregtare në sektorë të ndryshëm, si turizmi: në verë do të hapet një linjë mes Zmirnit dhe Selanikut dhe në këtë të fundit do të mbahet një takim në nivel ministrash dhe një forum për sipërmarrjet. Tsipras u shpreh se Greqia ka dalë nga kriza dhe ekonomia greke mund të realizojë gjëra të rëndësishme. Gjithashtu u ra dakord dhe për rritjen e bashkëpunimit në menaxhimin e flukseve të emigrantëve. Të dy vendet strehojnë një numër të madh emigrantësh: në Turqi janë afërsisht katër milionë dhe në Greqi që nga viti 2015 janë më shumë se një million.

Analistët politikë në Greqi e cilësuan si diplomaci të buzëqeshjes, atë që kryeministri grek Tsipras mori me vete në Turqi. Në Ankara ai i shtrëngoi dorën presidentit turk Erdogan për të riparuar takimin e pakënaqshëm dypalësh të dy viteve më parë në Athinë. Vështirësitë janë gjithmonë të njëjtat, tetë ushtarakët turq të strehuar në Greqi, të cilëve Athina u ka dhënë azil politik. Por pavarësisht kësaj, të dy liderët përpiqen të tejkalojnë vështirësitë, sidomos ato që lidhen me keqkuptimet në detin Egje. Të dyja palët duan vazhdojnë dialogun, pavarësisht vështirësive. Objektivi grek është reduktimi i tensioneve mes dy palëve dhe me sa duket ky është dhe qëllimi i palës turke. Jo rastësisht ka pasur shumë shkelje nga ana e Turqisë në Egje dhe presioni i Ankarasë për tetë ushtarët e arratisur është rritur. Një tjetër çështje e hapur është ajo e rihapjes së seminarit ortodoks të Halki-së në detin Marmara të mbyllur në vitin 1971. Erdogan frenon pas një seri sinjalesh pozitive, por për të arritur një marrëveshje të përgjithshme duhen më shumë aktorë

Çështja e seminarit ortodoks është një konflikt ndërkombëtar dhe jo një çështje dypalëshe. Në fakt kryeministri grek Tsipras mendon se ajo nuk do të konsumohet nëpër negociata dypalëshe. Ka pasur presidentë amerikanë që kanë diskutuar për këtë çështje me Turqinë në të kaluarën. Por në të vërtetë nuk ka pasur asnjë shenjë nga ana e Turqisë, për rihapjen e kolegjit teologjik të Halki-së. Të dyja palët synojnë të mbajnë çështjen pezull në mënyrë që ta përdorin në të ardhmen për marrëveshjet e mundshme. Edhe Bashkimi Europian nga ana e tij ka ushtruar presione ndaj Turqiaë për rihapjen e seminarit, për Brukselin në fakt, mbyllja e këtij kolegji është kundër lirisë fetare.

Por përveç ndasive, Greqia e Turqia kanë dhe një të përbashkët të çuditshme, në planin e politikave të jashtme. Presidenti turk Erdogan, në fakt nuk e fsheh aspak faktin se e konsideron presidentin e Venezuelës Maduro, një vëlla. Një qëndrim, të përbashkët edhe pse jo aq vëllazëror me Iranin e Ali Kameneit, Rusinë e Vladimir Putin dhe Kinën e Xi Jinping. Ankaraja ka përpunuar sasi të mëdha floriri që vinte nga Venezuela dhe më pas e ka ridërguar në Bankën Qendrore në Karakas. Venezuela preferoi Turqinë ndaj Zvicrës sepse i frikësohej pasojave të sanksioneve amerikane. Ministri venezuelian i Minierave u shpreh se kjo ishte një marrëveshje mes Turqisë dhe Bankës Qendrore Venezueliane. Ky sipas tij është një proces normal mes vendeve aleate. Një hipotezë kjo e verifikuar pasi ari venezuelian ka mbetur i bllokuar në Londër në Bankën e Anglisë, për shkak të sanksioneve amerikane.

Erdogan vizitoi Karakas me një delegacion të madh biznesmenësh turq menëjherë pas rikthimit nga samiti i G20-ës, në Buenos Aires në 2 Dhjetor 2018 për të treguar se sa të forta janë lidhjet mes dy vendeve. Por është më pak i kuptueshëm qëndrimi në mbështetje të qeverisë së Maduros, shprehur në 24 Janar nga Panos Skurletis, sekretar i Komitetit Qendror të Syrizës, partia e mazhorancës në qeveri, e vetmja në Europë që thërrit ambasadorin venezuelian në Athinë për t’i shprehur mbështetjen e plotë dhe solidaritetin për presidentin e ligjshëm të venezuelës, Nicolas Maduro.

Më pas Athina, pas një hezitimi fiillestar u rreshtua me kërkesat e Bashkimit Europian për zgjedhje të lira dhe transparente në Venezuelë. Juan Guaidò, Presidenti i vetëshpallur venezuelian, u shpreh i habitur për hezitimin e Athinës për të dënuar Maduron dhe në një intervistë për televizionin grek SKAI ftoi kryeministrin grek Tsipras të vizitonte Venezuelën për të parë se si jetonte populli i tij. Mbeten ende të paqarta arsyet e këtij qëndrimi fillestar të Athinës. Ndoshta mund të ketë lidhje me 25 Janarin e 2015-s, kur presidenti venezuelian Maduro u shpreh shumë solidar me Aleksis Tsipras duke deklaruar se fitorja e Syrizës përfaqësonte një botë të re për Europën.

Ose ndoshta, sipas analistëve të tjerë, ka peshuar fakti, se partia e Guaidò, “Voluntad Popular” – Vullneti popuLlor, është i lidhur me Internacionalen socialiste. Presidenti i saj është Papandreu, ish-kryeministër grek dhe ish-sekretar i PASOK, partisë socialiste greke me të cilën Aleksis Tsipras është përballur ashpërsisht në zgjedhjet për të fituar drejtimin e krahur të majtë në vend. Kontraste ideologjike dhe histori të vjetra që ndoshta kanë peshuar./abcnews.al