Një nga artistët shqiptarë më të njohur në arenën ndërkombëtare, piktori Agron Hoti, po realizon një nga projektet më ambicioze artistike të viteve të fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“CLIO”, një instalacion gjigant me gjatësi 10 kilometra, do të ngrihet në shkretëtirën e Marghamit, në një sipërfaqe që shtrihet në mbi 1 milion metra katrorë, në pronësi të Shamal Holding. Vepra është konceptuar dhe ideuar nga vetë Agron Hoti dhe do të përbëhet nga 25 mijë module të autentifikuara, secili me përmasa 2 metra me 2 metra.
Nga studimi i territorit përmes Google Maps deri te ndërtimi real në zemër të shkretëtirës, artisti shqiptar po sjell në jetë një pikturë monumentale, e krahasueshme me projektet e tij të njohura në Verona dhe Shqipëri. Gjysma e moduleve është pothuajse e shitur, ndërsa realizimi i veprës artistike pritet të zgjasë një vit, ndërsa i gjithë kompleksi do të përfundojë brenda gjashtë viteve.
Ndërkohë, Dubai ka mirëpritur edhe eventin prestigjioz “Hello Hoti”, ku mes të ftuarve kanë qenë emra të njohur të sportit, artit dhe biznesit ndërkombëtar, përfshirë legjendën e futbollit Francesco Totti.
Në qendër të këtij vizioni qëndron edhe “Clio House”, një hapësirë kulturore me arkitekturë unike, e projektuar për të funksionuar gjatë gjithë vitit. Ajo do të mirëpresë ekspozita, konferenca, rezidenca artistike dhe programe bashkëpunimi ndërkombëtar, duke krijuar një platformë të përhershme komunikimi mes artistëve, institucioneve dhe komuniteteve kreative.
Partnerë të nismës janë edhe xDubai, të cilët do të mbështesin projektin përmes komunikimit dixhital dhe prodhimit të përmbajtjeve audiovizive, përfshirë perspektiva ajrore spektakolare mbi peizazhin e shkretëtirës.
“Clio” synon të krijojë një dialog të ri mes artit, sportit dhe lëvizjes njerëzore, duke e kthyer përvojën artistike në diçka të gjallë dhe ndërvepruese. Vizitorët nuk do ta përjetojnë artin si një objekt statik, por si një eksperiencë të vazhdueshme që ndërthur kreativitetin, atletizmin dhe teknologjinë. Përgjatë një programi 6-vjeçar, “Clio” do të prezantojë ekspozita, komisione artistike dhe bashkëpunime globale në rotacion, duke e shndërruar këtë destinacion në një nga atraksionet më të veçanta kulturore të Dubait dhe rajonit.


