Reuters: Kosova do të strehojë 20 gazetarë ukrainas që ikin nga lufta

schedule16:00 - 1 Mars, 2022

schedule 16:00 - 1 Mars, 2022

Kosova planifikon t’u ofrojë strehim deri në gjashtë muaj 20 gazetarëve ukrainas të detyruar të largohen nga vendi i tyre pas pushtimit nga Rusia.

Sipas një dokumenti qeveritar të parë nga Reuters përparësi do t’u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Qeveria fillimisht do të ndajë 150,000 euro për t’i paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’ua mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Nuk ka asnjë të dhënë se kur do të mbërrijnë gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e BE-së, por i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, më shumë se 660,000 refugjatë i kanë ikur luftës në Ukrainë për të kërkuar strehim në shtetet fqinje, siç janë Polonia, Sllovakia, Hungaria, Moldavia, Rumania. Më 28 shkurt, refugjatët e parë kanë arritur edhe në Serbi.

“Numrat janë duke u rritur shpejt. Në këtë shkallë, situata mund të kthehet në krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë këtë shekull”, ka thënë zëdhënësja e Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, Shabia Mantoo para gazetarëve në Gjenevë më 1 mars.

Qeveria e Kosovës ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe ka vendosur sanksione në linjë me ato të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Në pakon e sanksioneve përfshihet ngrirja e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i tyre në tregje financiare dhe masa tjera kufizuese që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për pushtim rus në Ukrainë.

/abcnews.al