Reshjet, Shqipëria perëndimore “nën ujë”

schedule22:36 - 8 Janar, 2021

schedule 22:36 - 8 Janar, 2021

Reshjet qe nuk po ndalen nga e enjtja, po e çojnë nivelin e Drinit në kuota maksimale. Lezha dhe zonat rreth saj  janë në rrezik.

Pasdite në fshatin Torovicë ka pasur çarje toke. Të paktën 3 banesa rrezikojnë të shemben. Disa familje në fshatrat e Lezhës janë evakuuar.

Situata  mbetet problematike edhe në Qarkun e Shkodrës.

 

Rrugët e Obotit dhe disa toka me të mbjella mbeten nën pushtetin e ujit. Banesat ende nuk rrezikohen. Përveç Obotit, në këtë qark dëme ka edhe ne Muriqan, Dajç, Goricë dhe Oblikë. Niveli i Bunës ende është nën kontroll.

Në Kukës, banorët e fshatit Mgullë kanë mbetur të izoluar. Ura është shembur pas fryrjes se përroit që ka dalë nga shtrati. Në Mugu kjo është një situatë që përsëritet sa herë ka reshje intensive.

Kjo është situata në Sukth të Durrësit ku emergjencat kanë evakuuar disa familje.

Ndërsa kreu i njësisë administrative Sukth ka dhënë më shumë detaje për situatën e rënduar.

“Na ka dalë nga shtrati kanali i Tonës. Kemi larguar banorët që rrezikojnë më shumë në vendin ku Erzeni del. Tre familje i  kemi dërguar në Konvaleshencë. Gjënë e gjallë e kanë lëvizur vetë banorët me ndihmesën tonë. Kemi disa shtëpi nën ujë në Vadardhë. Uji aty shkon deri në një metër, banorët kanë shkuar tek të afërmit e tyre”, shprehet ai.

Banorët e zonës së Novoselës janë në ankth. Deri tani vetëm 4 familje janë evakuuar.

Moti i keq dhe reshjet qe nuk ndalen  po rrezikojnë dhe disa zona në Elbasan.

/abcnews.al/