Rendi i ri i global: SHBA dhe aleatët e saj po fuqizohen, Rusia shënon rënie

schedule11:58 - 18 Maj, 2022

schedule 11:58 - 18 Maj, 2022

The Washington Post

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Mendoni për atë që rusët pëlqejnë ta quajnë “korrelacion i forcave” dhe do të kuptoni se ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në balancën globale të fuqisë: E thënë thjesht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj europianë janë fuqizuar, dhe Rusia është në rënie.

Rusia po dështon në pushtimin e saj të pamatur të Ukrainës. Pavarësisht se si përfundon lufta, fakti është se Rusia duket e paaftë për të mposhtur një komb fqinj relativisht të vogël. Ndërkohë, Amerika dhe aleatët e saj janë më të bashkuar se sa kanë qenë vite më përpara.

Dhe aleanca e NATO-s do të bëhet dukshëm më e fuqishme me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

“Tani po jetojmë në një epokë krejtësisht të re”, tha Henry Kissinger, mjeshtri i strategjisë së madhe, në një forum të Financial Times këtë muaj.

Kur një ushtri has rezistencë në betejë, siç ka bërë Rusia, çfarë duhet të bëjnë kundërshtarët e saj?

Logjika mizore e luftës argumenton se forcat duhet të lëvizin me shpejtësi për të konsoliduar fitimet e tyre  dhe të përfitojnë maksimalisht nga pozicioni i ri strategjik. Pavarësisht suksesit dërrmues në Luftën e Gjirit Persik në 1991, aleatët e lejuan Sadam Huseinin  të vazhdonte të terrorrizonte popullin e tij, raporton abcnews.al.

Gjenerali britanik William Howe humbi mundësitë për të shkatërruar Ushtrinë Kontinentale të Uashingtonit. Atkinson e përmbledh rendin e ri të betejës në Europë në këtë mënyrë: “Në më pak se tre muaj, peizazhi strategjik ka ndryshuar thellësisht – duke gjallëruar një aleancë ushtarake të NATO-s që dukej gati në vdekje, duke minuar, nëse jo sterilizuar ambiciet perandorake ruse, dhe duke ripohuar udhëheqjen amerikane në një koalicion të fortë të demokracive liberale me të njëjtin mendim.”

Historia na mëson se duhet të shfrytëzojmë momentin. Humbja e Putinit mund të bëhet një çështje shumë delikate, përmes një përpjekjeje të dëshpëruar ruse për të përdorur armë bërthamore, ose thjesht përmes përhapjes së kaosit dhe fragmentimit në të gjithë Euroazinë ndërsa fuqia ruse po shpërbëhet.

Në një botë ribalancuese, Shtetet e Bashkuara mund të avancojnë interesat e tyre në çdo drejtim. Le të fillojmë me Europën: qendra e gravitetit të NATO-s do të zhvendoset drejt lindjes, pasi vendet europiane si Gjermania po rrisin mbrojtjen ushtarake dhe po bëhen më të pavarur nga energjia ruse.

Leva e NATO-s do të shtrihet gjithashtu në veri, ndërsa Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës.

Një Ukrainë më europiane mund të tërheqë Rusinë drejt Perëndimit gjithashtu. Hapi i parë i duhur është një lëvizje e shpejtë për të anëtarësuar Ukrainën në Bashkimin Europian.

“Putini ka shkatërruar reputacionin e Rusisë si një furnizues i besueshëm i energjisë”, sipas një ish-këshilltari të sigurisë kombëtare Tom Donilon.

Gabimet e Putinit mund të jenë të kushtueshme, gjithashtu, për Kinën, aleatin kryesor të Rusisë. Presidenti Xi Jinping dhe Putin u zotuan për një miqësi pa kufij në një deklaratë të përbashkët në Lojërat Olimpike të Pekinit në fillim të shkurtit, por Xi ndoshta nuk e parashikoi marrëzinë e pushtimit të Putinit dhe Kina ka treguar një mbështetje të zbehtë gjatë muajve të fundit.

Me bashkëpunimin e Rusisë dhe Kinës, Shtetet e Bashkuara po synojnë të rrisin partneritetet e tyre strategjike në Azi. Presidenti Biden do të takohet me anëtarët e tjerë të Quad – Indinë, Japoninë dhe Australinë  në Japoni më 24 maj.

Biden u takua javën e kaluar në Uashington me udhëheqës nga Azia Juglindore, duke përfshirë partnerët potencialë kryesorë Indonezinë dhe Vietnamin, raporton abcnews.al.

Biden tha se kjo ishte një “epokë e re” për rajonin.

Donilon flet për “fuqitë e mesme të rëndësishme” – si India, Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit, Azia Juglindore dhe Brazili, si vende ku “Shtetet e Bashkuara kanë mundësi të jashtëzakonshme”.

Amerika Latine është një rajon tjetër ku Shtetet e Bashkuara mund të zgjerojnë ndikimin e tyre në valën e suksesit të Ukrainës. Brazili, ekonomia më e madhe në rajon, është një partner i rëndësishëm. Administrata madje ka gjetur një mënyrë për të forcuar marrëdhëniet me Venezuelën, duke njoftuar për një marrëveshje të madhe për prodhimin e naftës të martën.

Lufta e Ukrainës i ka kujtuar botës një fakt të pashmangshëm: fuqia ushtarake e Amerikës, dominimi i inteligjencës dhe partneritetet strategjike janë jashtëzakonisht të fuqishme.

Ndryshimet në balancën e pushtetit janë ende në proces. Por bota është ndryshe nga ajo që ishte përpara 24 shkurtit, dhe tani për tani, po ndjek  rrugën e Amerikës.

/abcnews.al