Teksa Reforma në Drejtësi vijon të përballë palët politike në Kuvend është një tjetër reformë, ajo që po përgatitet për këtë institucion.
Oerd Bylykbashi: “Kjo legjislaturë nuk është në kushtet ideale për një procedure reforme, nga ana tjetër reforma zgjedhore është më e rëndësishmja, edhe ndaj asaj në drejtësi”.
Është ky mendimi i bashkëkryetarit demokrat të komisionit të Reformës Zgjedhore, të konstituuar në Nëntor të 2017-s. Për atë socialist, Bledi Çuçi, koha e mbetur në legjislaturë, premton.
Bledi Çuçi: “Nuk besoj se jemi vonë, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm, jemi në kohë dhe e kemi krijuar që në nisje të legjislaturës”.
Pa mbledhje apo takime publike, por me punë konkrete për reformimin e sistemit elektoral, Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi thonë se nuk e kanë ndalur hapin.
Oerd Bylykbashi: “Ne vijojmë të diskutojmë për detajimin e planit të punës për komisionin, që mos jenë seancë boshe. Besoj që shpejt do arrijmë të sjellim si bashkëkryetar këtë platform pune, dhe koordinimi me donatorët që na mbështesin në këtë proces”.
Dy janë pikët kryesore për Bledi Çuçin, ekspertiza dhe qëndrueshmëria e vendimit përfundimtar.
Bledi Çuçi: “Duhet ta shfrytëzojmë për dy gjëra kryesore. E para për të sigurar ekspertizën më të mirë në Europë dhe botë për çështjet që ne adresojmë nga opinionet e OSBE-ODIHR. Të garantojmë vendimmarrje me konsensus, që çdo zgjidhje të jetë sa më e qëndrueshme”.
Në debatin për ndryshimin e sistemit, bashkëkryetarët evokojnë nevojën e një diskutimi më të gjerë, e që i kalon kufijtë rozë dhe blu të partive të mëdha.
Bledi Çuçi: “Çështja e sistemit është tërësisht politik dhe nuk është ekskluzivitet i komisionit, nëse nuk ka vullnet të qartë nga forcat politike nuk e diskutojmë ne, ajo që bëjmë ne është që i japim modele të ndryshme si mund të jetë një system që i përshtatet realitetit shqiptar”.
I këtij mendimi është edhe Oerd Bylykbashi, i cili këtë diskurs e kushtëzon me cilësinë e standartit zgjedhor.
Oerd Bylykbashi: “Çështja e sistemit është e përfshirë në platformën e PD-s, minimalisht ka nevojë për tu shtrënguar, elementë si kontrolli mafioz i votës. Nëse ne nuk rregullojmë standartet zgjedhore çdo sistem do dështonte”.
Mbledhjet e komisionit të Reformës Zgjedhore pritet të nisin brenda dy javëve të ardhshme, ku çështjet që do të adresohen përfshijnë ato të votimit dhe numërimit elektronik si dhe votës së emigrantëve./abcnews.al