Deputeti i Partisë Socialiste, Erjo Mile, foli për platformën dixhitale “Pasqyra Flamingo” gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News.
Mile tha se platforma është krijuar si një hapësirë informimi dhe transparence, duke e lidhur atë me diskutimet dhe protestat e zhvilluara së fundmi.
Duke folur për platformën, deputeti i PS-së theksoi se ajo synon t’u japë qytetarëve akses në dokumentet që përdoren nga institucionet për marrjen e vendimeve.
Sipas Mile, dokumentet që shërbejnë për vendimmarrjen institucionale do të bëhen të aksesueshme për publikun.
“Pasqyra Flamingo është një hapësirë e lindur nga reflektimi mbi protestën e fëmijëve. Në fillim protesta mbante erë të mirë, por tani duket se mban erën e sorrave. Ka njerëz që tani dalin edhe për like, njerëz të paguar, etj. Për “Flamingo Mirrors” është një moment shumë i mirë kur kjo qeveri tha se tashmë është më mirë të krijojë këtë mundësi. Kjo i përgjigjet kësaj nevojë mbi këtë tymnajë apo thashethemnajë që krijohet lehtësisht, si aludime që nga korrupsioni apo interesa personale pas një nisme politike. Të njëjtat dokumente që shërbejnë për të marrë vendime nga institucione kompetente do të jenë transparente. Çdokush që do të mësoj të vërtetën, ka mundësi të hyjë dhe të marrë dokumente origjinale dhe ky është elementi i transparencës që jep kjo pasqyrë”, tha ai.
/abcnews.al/


