Reagon Bardhi: Gjiknuri duhet të ishte në burg për krim zgjedhor

schedule12:40 - 19 Shtator, 2019

schedule 12:40 - 19 Shtator, 2019

Pas deklaratës së Damian Gjiknurit se është gati të rishikojë pozicion e tij si bashkëkryetari socialist i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, me kushtin që PD të përfshihet në këtë Reformë, vjen edhe reagimi i selisë blu. Në një deklaratë për mediat sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi u shpreh se kjo nuk është ndonjë sakrificë e Gjiknurit, pasi ai sipas tij, duhet të ishte në burg për krim zgjedhor.

“Besoj unë, Damian Gjiknuri dhe gjithë ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhjet dhe për të vjedhur votat, nuk duhet të jetë me zgjedhje për të dhënë apo jo dorëheqjen nga Komisioni, por duhet të ndiqen penalisht dhe të shkojë në burg për kryerjen e krimeve zgjedhore.

Kjo nuk është kërkesë e opozitës, ky është standard evropian, është një nga kushtet e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave.

Të gjithë ata, përfshirë Damian Gjiknurin dhe gjithë pjesën tjetër të anëtarëve të Komisionit, që janë pjesë e dosjeve “184” dhe “339” nuk duhet të jenë në komisionin për reformën zgjedhore, por do të duhet të jenë në burg dhe të proceduar penalisht për të gjitha krimet zgjedhore që kanë kryer”. /abcnews.al