Irena Gjoka nuk ka kryer vepër penale dhe nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ta ndjekur atë penalisht, tha prokuroria e posaçme pasi ezauroi të gjitha fazat hetimore ndaj magjistrates
Por Kolegia e Irena Gjokës nuk eshte dakort. Gjykatesja e posacme Marinela Osmani mendon se ajo duhet të rihetohet, duke i lënë 6 muaj afat kohorë prokurorit Bledar Maksuti të plotësojë hetimet që mungojnë në dosje.
Gazetarja Etleva Delia tha se nëse pas konfliktit qëndron një çështje personale mes dy gjyqtarëve, atëherë situata është tepër e rëndë për sistemin e drejtësisë. Sipas saj, po tentohet të penalizohet një person për një veprim që nuk e ka kryer, ndërsa vetë Gjoka ka sqaruar se, nëse do të kishte pasur dënim, nuk do të kishte kaluar më parë procedurat me familjen
“Nëse është diçka personale mes dy gjyqtarëve, është e rëndë, të kishte “bërryla” në Gjykatën e Posaçme kaq hapur nuk e besonim të kishte. Mesa shohim këtu, është ta dënosh për diçka që s’e ka bërë. Kërkohet dëshmia e penalitetit, Gjoka e ka thënë vetë dhe nëse do ishte e dënuar nuk do kalonte sërish me familjen. Bëri prokurën që ia dha avokatit të interesohej.”
Eksperti Faik Basha shtoi se pas situatës së krijuar mund të ketë konkurrencë të brendshme, pakënaqësi apo rivalitet profesional mes palëve të përfshira. Sipas tij, deri më tani nuk janë bërë publike arsye ligjore që të justifikojnë veprimet e ndërmarra nga institucionet. Basha theksoi gjithashtu se është rast i paprecedentë që gjykata të urdhërojë prokurorin të kryejë hetime, duke shtuar se kjo nuk duhet të kthehet në një praktikë të vazhdueshme.
“Mund të jenë konkurrencë e brendshme, pakënaqësi, ambient pune dhe konkurrencë profesionale. Por vetëm arsye ligjore mesa u tha dhe u bë publike nuk ka. Edhe nga ana funksionale e institucionit u tha që është rast i paprecedentë që gjykata të urdhërojë prokurorin të kryejë hetime. Kjo nuk ka pse të bëhet shkelje e vazhdueshme.” / abcnews.al /


