Në pritje të mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të premten, kryeministri Rama vizitoi për herë të parë Porto Montenegron, investimin që ishte parashikuar të bëhej në Durrës, duke e paralelizuar me kundërshtimet e sotme për Zvërnecin.
“Di mirë historinë sesi u ndërtua ky vend, nga dikush, një burrë i vjetër dhe pasionant nga Kanadaja, që trokiti më parë në Shqipëri dhe donte të bënte një port turistik në Durrës. E keqtrajtuan dhe e detyruan të largohej, duke mos i hapur fare dyert. Në Mal të Zi iu hapën dyert, por jo çdo gjë shkoi ashtu siç duhej që në fillim.”, tha Rama.
Porto Durazzo nuk u realizua kurrë për shkak të zvarritjeve ndaj investitorit kanadez nga ish-qeveria e Sali Berishës, ndaj i njëjti investitor u largua për në Mal të Zi, ku qeveria e asaj kohe e mirëpriti investimin.
Rama nuk e fshehu zhgënjimin, ndërsa u informua nga menaxheri i resortit Porto Montenegro se investimi në fillim pati kundërshtime edhe në Mal të Zi, por sot është ylli polar i turizmit dhe zhvillimit të vendit.
“Ju e kuptoni mentalitetin. Malazezët janë mikpritës tani, por në fillim nuk na prisnin as në aeroport. Shumica e njerëzve në Tivat as donin të kalonin në fillim nga Porto Montenegro. Nuk e donin. Tani kanë parë se përfitimet janë shumë të mëdha për komunitetin dhe vendin. Këtu kemi gjetur 10 mijë banorë, këtu nuk kishte turizëm, ishte ish-zonë ushtarake. Veç të ardhurave, kemi punësuar mijëra njerëz ndër vite.”
Por ndërkohë që në Tiranë mbahej një protestë kundër investimit në Zvërnec, kryeministri Rama nga Mali i Zi paralajmëroi se nuk ka më vend për qëndrime të tipit “s’e duam” apo “s’na duhet” dhe se ky shans investimi nuk do t’i shpëtojë më Shqipërisë.


