Rama udhëton të mërkurën drejt Brukselit, takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s

schedule10:27 - 10 Korrik, 2022

schedule 10:27 - 10 Korrik, 2022

Kryeministri Edi Rama udhëton më 13 korrik në Bruksel drejt selisë së NATO-s. Kreu i qeverisë pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës ushtarake Jens Stoltenberg.
Sipas asaj që parashikon agjenda, pas mbledhjes, Stoltenberg dhe Rama do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Vizita është paralajmëruar edhe më herët nga kryeministri. Ai është shprehur se qëllimi i bisedës do të jetë baza e NATO-s në Durrës.

Rama u shpreh më 1 korrik ky projekt ka të bëjë me instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit në Porto Romano. Ai shtoi se projekti i Shqipërisë ka ngjallur shumë interes dhe dëshirë.

“Po ashtu kemi folur atje për projektin tonë. Së shpejt besoj që do të rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit. Në portin e ri që do të jetë në Porto Romano dhe përveç pjesës komerciale tregtare, parashikohet që të ketë edhe një pjesë ushtarake. Së shpejti do të bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin tonë të ekspertëve dhe ekspertët e aleancës për të parashtruar projektin në detaje dhe për të vijuar më tutje diskutimet…” /abcnews.al/