Rama: Tre përfundimet thelbësore të Komisionit të Venecias

schedule17:31 - 11 Tetor, 2019

schedule 17:31 - 11 Tetor, 2019

Tre janë përfundimet thelbësore që ka nxjerrë Komisioni i Venecias sipas Kryeministrit Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se ato konfirmojnë pa asnjë ekuivok drejtësinë e qëndrimit të Partisë Socialiste para dhe pas zgjedhjeve të 30 Qershorit.

I pari sipas Ramës është se Komisioni i Venecias konkludon se “Bojkoti i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë të pengonin çdo proces zgjedhor”.

“Anulimi i zgjedhjeve dhe më tej, shtyrja e tyre cenoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur”, është përfundimi i dytë që ka parë kryeministri nga raporti.

Më tej, kreu i qeverisë thotë se përfundimi i tretë është se “Presidenti veproi në mungesë të bazës ligjore kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në Kushtetutë e në Ligj”.

Ndërkohë më herët, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, tha se kreu i grupit parlamentar të mazhorancës ka dërguar në media një material, i cili nuk tregon në mënyrë të drejtë për raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias.

/abcnews.al