Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rama: Shqipëria është më pranë se kurrë BE-së, Diella ka përshpejtuar punën!

schedule15:52 - 11 Korrik, 2026

schedule 15:52 - 11 Korrik, 2026

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në Jalë, kryeministri Edi Rama u ndal te procesi i integrimit europian, duke iu përgjigjur pyetjeve nëse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është tashmë një objektiv i realizueshëm apo vetëm një premtim politik.

Rama theksoi se rruga drejt BE-së është një proces i gjatë dhe shumëdimensional, që nuk lidhet vetëm me përmbushjen e kushteve teknike, por edhe me vendimmarrjen politike të vendeve anëtare. Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në negociata dhe po avancon me mbylljen e kapitujve të anëtarësimit.

Kreu i qeverisë shpjegoi se vendi duhet të përafrojë legjislacionin kombëtar me atë europian duke miratuar mijëra akte ligjore dhe nënligjore. Ai tha se, për të përshpejtuar këtë proces, qeveria ka përdorur inteligjencën artificiale, e cila ka ulur ndjeshëm kohën e nevojshme për transpozimin e legjislacionit.



“Kroacisë iu deshën shtatë vite vetëm për këtë fazë. Ne krijuam modelin e inteligjencës artificiale ‘Diella’ dhe sot transpozimi bëhet shumë më shpejt, me një saktësi prej 99.5 për qind, ndërsa juristët ndërhyjnë vetëm për korrigjimet e fundit”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se miratimi i ligjeve është vetëm një pjesë e procesit, pasi zbatimi i tyre monitorohet vazhdimisht nga institucionet europiane. Në fund, çdo hap drejt anëtarësimit kërkon miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Rama kujtoi se Shqipërisë i është refuzuar tri herë hapja e negociatave, edhe pse Komisioni Europian kishte dhënë rekomandim pozitiv, duke e cilësuar këtë si një tregues se procesi ndikohet edhe nga dinamika politike brenda BE-së.

Në fjalën e tij ai u ndal edhe te marrëdhëniet me Holandën, një prej vendeve që historikisht ka mbajtur qëndrim më skeptik ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas Ramës, organizimi në Tiranë i finales së UEFA Europa Conference League ndikoi në ndryshimin e perceptimit të shumë qytetarëve holandezë për Shqipërinë.

“E panë nga afër se Shqipëria nuk ishte vendi i stereotipeve për krimin dhe drogën, por një vend krejt ndryshe nga ai që kishin krijuar në imagjinatën e tyre”, deklaroi kryeministri.
 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!