Rama prezanton projektet për qarkun e Beratit

schedule16:32 - 26 Maj, 2018

schedule 16:32 - 26 Maj, 2018

Ndërsa opozita protestonte në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ishte në Berat ku prezantoi projektet infrastrukturore të parashikuara për këtë qark. Kreu i qeverisë vuri theksin te rritja e punësimit dhe turizmi.

Në  të gjitha takimet që zhvilloi në qarkun e Beratit ku ndodhet prej së premtes, Kryeministri Edi Rama  zgjodhi të mos komentojë protestën që opozita zhvilloi poshtë zyrës së tij në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Të vetmen fjali që nënkuptonte lëvizjen opozitare, Rama e nënvizoi në prezantimin e projekteve që qeveria ka për 5 bashkitë e këtij qarku.

“Të fokusohemi te avantazhet që na japin bukuritë e natyrës. Kjo zone i ka të gjitha, ndaj na duhet të fokusohemi, që ndërsa qentë lehin ne të ecim përpara”.

Rama i njeh qeverisë së tij meritën që përmes projekteve të Rilindjes Urbane iu ka rritur vlerat qyteteve ku është investuar. Dhe Berati sipas tij është shembulli tipik që ka rritur vëmendjen e turistëve të huaj.

“Keni dëgjuar shpesh fasada, zbukurime, palma. Ato janë ekonomi Duke ardhur këtu pashë turistë  të huaj të ulur në kafene anës bulevardit. Janë zhvillime që do i çojmë përpara”.

Kryeministri përsëriti se përdorimi i portalit “Shqipëria që duam” është shumë i rëndësishëm për të larguar njerëzit e tepsisë nga puna. Por një nga qytetarët e pranishëm në takimin  e organizuar për këtë platformë i dha prova se pavarësisht se merita është kriteri që Rama thotë se vlerësohet për të punuar në administratë, atë e kanë larguar nga puna për bindjet politike.

Qytetari: “Jam një prind i një prej nxënësve këtu, një ish punëtor i administratës tatimore, i larguar nga qeveria juaj me motivin më të dobët, nuk je i yni, se të ka futur në punë Partia Demokratike”

Rama: “Nëse e vërteta është si thua ti dhe nëse ti ke provë për këtë që thua, ti do kthehesh në punë ditën e hënë, sepse ne nuk mund t’i ndajmë njerëzit në të “tanët” dhe të “atyre. Unë i them deputetit të Skraparit të mos bllokohet më Këshilli Bashkiak për çështje që kanë të bëjnë me qytetarët, deputeti i Skraparit mendon se unë e them për televizor. Shkon atje dhe vazhdon historia, bllokojnë Këshillin për ndihmën ekonomike, sepse hyjnë në luftërat e tyre politike që nuk kanë asnjë vlerë dhe asnjë lidhje me qytetarin. Po e sjell si shembull, meqë jemi në Qarkun e Beratit, se ka edhe të tjerë që bëjnë të njëjtën gjë, që i trajtojnë mundësitë për të pasur akses, si mundësi për të bërë luftëra. Se kush ja ka kërkuar këto luftëra, unë nuk e di”

 

Gjatë një dreke me sipërmarrës në fusën e turizmit dhe agroturizimit  kryeministri diskutoi për projektet e qeverisë në këtë sektor.