Kryeministri Rama deklaron se presidenti Meta do e dekretojë Sandër Lleshajn për ministër të Brendshëm deri të premten. Gjatë një interviste në Report TV, kreu i qeverisë tha se pyetjet e ngritura nga presidenti për Sandër Lleshajn, janë sqaruar pas letrës së shefit të qeverisë, e vetë Lleshajt, që i kërkoi ç’dekretimin si Gjeneral i Forcave të Armatosura.
Dy janë mundësitë e kreut të shtetit sipas Ramës, ose të pajtohet me sqarimet, ose ta ç’dekretojë si Gjeneral. Por në të dy rastet, nënvizoi shefi i qeverisë, kjo çon tek dekretimi i Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Rama tha se ende nuk e ka kuptuar arsyen e mosdekretimit herën e parë, por këtë herë nuk ka arsye të besojë se presidenti nuk do bëjë lëvizjen e duhur.
Sipas Ramës, Lleshaj si ministër i Brendshëm do vazhdojë luftën kundër krimit pa dallim, pasi kjo është çështje e vullnetit të vetë kryeministrit. I pyetur për vrasjet mes bandave, shefi i qeverisë tha se ata po hanë kokat e njëri-tjetrit, e janë të lutur ta bëjnë atë gjë.
Shefi i qeverisë u ndal edhe tek protesta e banorëve të “Astirit” e tha se askush nuk mund t’i imponohet me forcë ligjit, e se opozita po i përdor ata banorë të cilët do dëmshpërblehen sipas ligjit, pasi unaza do bëhet e do i shërbejë qytetarëve të Tiranës.
Kryeministri tha se nuk ka komunikuar me homologun grek Tsipras pas ngjarjes në Lazarat dhe nënvizoi se autoritetet shqiptare mbajtën qëndrimin e duhur në respekt të traditës e ligjeve të vendit./abcnews.al