Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rama për “CNN”: Irani i përfshirë në fushatën e dezinformimit ndaj Shqipërisë

schedule18:50 - 18 Qershor, 2026

schedule 18:50 - 18 Qershor, 2026

Kryeministri Edi Rama ka lidhur protestat masive në Shqipëri me një fushatë të gjerë dezinformimi dhe ndërhyrje kibernetike, duke pretenduar se përmes videove të rreme dhe rrjeteve të bot-eve po manipulohet opinioni publik.

Gjatë një interviste për CNN me gazetaren Eleni Giokos, Rama paralajmëroi se fenomeni i dezinformimit online po përbën një kërcënim serioz për demokracitë moderne dhe proceset politike në Europë.

Kreu i qeverisë shqiptare kritikoi ashpër edhe mënyrën se si, sipas tij, po keqpërdoret liria e shpërndarjes së informacionit në rrjetet sociale.



“Por sasia e dezinformatave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të tjera dhe të paraqitura si protesta në Shqipëri, sasia e bot-eve që kanë hyrë aty nga armiku ynë… Ne kemi një armik, i vetmi armik është Republika Islamike e Iranit, dhe ata kanë tre vjet që zhvillojnë një sulm kibernetik të pamëshirshëm kundër Shqipërisë dhe janë përfshirë edhe në këtë çështje”, deklaroi Rama.

Sipas tij, përhapja masive e informacionit të manipuluar po dëmton funksionimin normal të sistemeve demokratike dhe po minon besimin e qytetarëve te politika dhe institucionet.

“Kjo sasi çmendurie po gërryen demokracitë tona nga brenda dhe po e çon hapësirën europiane në drejtime që, më shpejt sesa vonë, do të shkatërrojnë plotësisht ndjesinë e politikës, vendimmarrjes dhe kompromisit në këtë pjesë të botës”, tha ai.

Rama bëri thirrje për një qasje të re ndaj rregullimit të hapësirës digjitale, duke argumentuar se liria e shpërndarjes së informacionit nuk duhet të trajtohet njësoj si liria e shprehjes.

“Është koha që demokracitë të mos besojnë më se ‘liria e shtrirjes së informacionit’ është një zgjatim i lirisë së shprehjes. Liria e shtrirjes së informacionit është ajo që çdo regjim, përmes propagandës, ka përdorur për të futur gënjeshtrën në çdo mendje”, u shpreh kryeministri.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!