Ka mbërritur kërkesa zyrtare në kabinetin qeveritar për investimin e madh të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës. Lajmin e bëri publik kryeministri Edi Rama përmes një statusi në rrjetet sociale ku njofton hapjen e kantierit deri në muajin qershor.
“Kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh strategjik të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës.Deri në qershor hapja e kantierit”- shkruan Rama në facebook.
E premtoi që në tetor të vitit të kaluar në turin e ri të takimeve konsultative me kabinetin, se brenda vitit 2021 do të kryhet fluturimi i parë nga Vlora.
Njoftimi më i fundit që kryemnistri Rama bëri në rrjetet sociale për aeroportin kombëtar të Vlorës pasoi me dhënien e detajeve nga ministria e infrastrukturës dhe energjisë.
I parashikuar që të ndërtohet në zonën e Akernisë Aeroportit të Vlorës i është paraqitur oferta nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction. Janë përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që do shqyrtojnë aspektet teknike të propozimit dhe do të ndjekin hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore.
Jo vetëm ministria e infrastrukturës dhe energjisë por edhe kryemnistri Rama kanë sqaruar se investimi do të jetë privat, e jo nga buxheti i shtetit.
Në rrjetet sociale kreu i qeverisë është shprehur se Aeroporti i Vlorës do të investohet nga e njëjta kompani që po ndërton aeroportin e tretë të Stambollit (një ndër tre më të mëdhenjtë e botës) dhe do të jetë aeroport kombëtar e jo aeroport qarqesh. Kryeministri Rama thotë se edhe për Kukësin e kanë planin gati, por nuk ka ende ndonjë propozim serioz investimi në horizont./abcnews.al