Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, niset për në SHBA. Në një vizitë zyrtare disaditore, Rama do të marrë pjesë në punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në këtë vizitë, ai do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe delegacioni shqiptar, për të marrë pjesë në hapjen e debatit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas agjendës, parashikohet që kryeministri Rama, në emër të Shqipërisë, të mbajë fjalën e tij në OKB të premten, më datë 25 shtator.
Rama do të marrë pjesë në pritje zyrtare, aktivitete të nivelit të lartë dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare.
Përtej agjendës zyrtare, kryeministri Rama parashikohet të shfrytëzojë qëndrimin disaditor në SHBA edhe për takime me diasporën shqiptare.
Pritet që takimet të fillojnë më 20 shtator me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan dhe më pas, më 24 shtator, me një tjetër takim në Nju Jork.
/abcnews.al/

