Rama në Kuçovë: Kemi grabitqarë e parazitë në administratë

schedule21:01 - 25 Maj, 2018

schedule 21:01 - 25 Maj, 2018

Pasditen e së premtes, kryeministri Edi Rama vijoi turin e llogaridhënies në Kuçovë. Duke theksuar ekzistencën e kategorisë së cilësuar prej tij si grabitqarë dhe parazitë në administratë, Rama nxiti qytetarët të denoncojnë çdo rast në platformën e bashkëqeverisjes.

Në Kuçovë gjatë turit të llogaridhënies, kryeministri Edi Rama foli për një nga betejat e pafituara të qeverisë, atë ndaj grabitqarëve dhe parazitëve në administratë.

“Jemi shumë larg fitores së kësaj beteje sepse grabitqarët dhe parazitët në administratë nuk janë të të tjerëve edhe ne partia që qeverisim nuk jemi të imunizuar nga virusi i grabitqarëve dhe parazitëve në të gjithë nivelet e administratës. Ky është fakt”.

Kreu i qeverisë rrëfeu formulën e suksesit.

“Ne kemi krijuar mekanizmin që nuk e kemi pasur më përpara se s’ka qenë e mundur për ta pasur më përpara pasi nuk kemi pasur në dorë këtë avantazh që na e jep sot teknologjia që me një aplikacion e  ke të gjithë qeverinë në xhep. Mjafton të shkojë te platforma shqipëriaqëduam.al, të regjistrohet, të shkruajë ankesën e tij dhe në kohë reale ankesa shkon te ministri. Nuk shkon poshtë, shkon te ministri. Dhe ministri është i detyruar që brenda 10 ditësh të kthejë përgjigje”.

Problemi u prek edhe nga të pranishmit.

Por duket se mungesa e denoncimeve nga ana e qytetarëve nuk ka qenë i vetmi problem.

“Hoqëm drejtorin e tretë nga zyrat e hipotekës së Beratit se më ra goja, mos vini burra drejtore, vini gra po nuk më dëgjojnë. Tani kemi vënë një grua dhe shpresoj që ajo do të jetë në lartësinë e detyrës. Tek  shqipëriaqëduam.al shtrohet problemi dhe ti për 10 ditë merr zgjidhje”.

Kryeministri ndau edhe lajme të mira.

“Ne do t’i rrisim pensionet përsëri në momentin që do të kemi më shumë të ardhura. Objektivi ynë është që deri në fund të vitit të punësojmë 25 mijë njerëz. SHELL-i po bën një operacion të pazakontë këtu në këtë zonë sepse është gjetur një sasi nafte dhe gazi më e madhja e zbuluar ndonjëherë në vendin tonë”./abcnews.al