Rama në Krujë: Së shpejti gati 13 shkolla e kopshte me standarde si kudo në Europë

schedule14:06 - 12 Nëntor, 2020

schedule 14:06 - 12 Nëntor, 2020

Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka qenë në Krujë ku ka inspektuar nga afër punën për rindërtimin e shkollave dhe të kopshteve pas shembjes nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Shefi i qeverisë ka qenë në kantieret e ndërtimit të shkollës dhe kopshtit “Kastrioti” dhe “Hajdar Hoxha“.

Sipas kryeministrit nxënësit dhe mësuesit do të rikthehen në mjedise të reja të projektuara sipas standardeve më të mira europiane.

“Duke ndjekur ecurinë e punimeve të shkollës dhe kopshtit “Kastrioti” dhe “Hajdar Hoxha“, që shumë shpejt së bashku me 13 shkolla e kopshte të reja në zonën e Krujës do të jenë gati, më të mëdha, më të bukura e me të gjitha kushtet e shkollave e kopshteve kudo në Europë”, deklaroi Rama.

Shkolla “Hajdar Hoxha” është pjesë e lotit të tretë të prokurimeve dhe ka vetëm 1 muaj e gjysëm që ka filluar ndërtimi i saj. Punimet për ndërtimin e kësaj shkolle pritet të përfundojnë në mesin e muajit janar./abcnews.al