Rama në Itali fton investitorët: Ejani në Shqipëri, jemi parajsa në tokë për taksat

schedule16:35 - 19 Shtator, 2019

schedule 16:35 - 19 Shtator, 2019

Kryeministri shqiptar mungoi në seancën e sotme parlamentare, pasi ndodhet në Pulia në Itali, ku mori pjesë në një panair me investitorë. Rama u bëri thirrje biznesmenëve italianë të vijnë në Shqipëri, të cilën, sipas nivelit të taksave, e quajti parajsa në tokë.

Qeveria shqiptare fton investitorët italianë të bëjnë biznes në Shqipëri. Kryeministri Rama ishte në Pulia në Itali, ku në një prej paneleve të panairit Fierra de Levante, përshkroi lehtësitë që Shqipëria ofron.

“Shqipëria është sot hapësira ku sipërmarrësit italianë mund të investojnë pa u tmerruar nga taksat dhe burokracia. Gjithë ata që i ëndërronin t’i kishin kur dëgjonin kryeministrin Berlusconi, i kanë tashmë në Shqipëri. Një vend thuajse pa asnjë taksë”.

Një nga fushat kryesore, që kryeministri iu sugjeron të investojnë paratë e  tyre biznesmenët italianë është turizmi. Edi Rama renditi të gjitha lehtësitë fiskale të vendit tonë.

“Kushdo që investon në Shqipëri sot në turizëm me 5 yje, mund të kryejë për 10 vjet një aktivitet pa asnjë taksë dhe TVSH 6 %. Nga pikëpamja e taksave ne jemi një vend normal, por krahasuar me Italinë, ne jemi një parajsë tokësore”.

Mediat italiane kanë shkruar ditët e fundit, se gjatë qëndrimit në Pulia, kryeministri shqiptar do të njihet me interesimin e një kompanie italiane për të marrë me koncesion aeroportin e Vlorës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!