Një incident tragjik është regjistruar në Loutraki të Greqisë, ku një 17-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë pasi u godit me thikë, ndërsa një 19-vjeçar ka përfunduar i plagosur në spital. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në një prej rrugëve të qytetit, ndërsa autoritetet greke kanë nisur menjëherë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat.
Sipas të dhënave paraprake, i mituri është gjetur në gjendje të rëndë dhe është transportuar me urgjencë në spital nga i vëllai, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Mediat lokale raportojnë se viktima ishte me origjinë shqiptare.
Ndërkohë, në spitalin e Loutrakit është paraqitur edhe një 19-vjeçar me plagë të shkaktuara nga mjet prerës. Fillimisht, ai ka deklaruar se ishte lënduar si pasojë e një aksidenti rrugor, por pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua se plagët nuk përputheshin me një aksident, por ishin shkaktuar nga thika.
Mjekët dhe më pas policia dyshojnë se 19-vjeçari mund të jetë përfshirë në të njëjtin konflikt me 17-vjeçarin dhe se ka tentuar të fshehë të vërtetën mbi ngjarjen. Deri më tani, as i vëllai i viktimës dhe as i riu i plagosur nuk kanë dhënë një dëshmi të qartë për atë që ka ndodhur.
Hetimet vijojnë intensivisht, me fokus mbledhjen e provave materiale, analizimin e vendit të ngjarjes dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mundshëm, për të përcaktuar nëse në incident kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë dhe për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.


