Rama mesazh deputetëve të PS: Nëse opozita kërkon dialog, të mos jemi ne problemi

schedule09:51 - 29 Janar, 2018

schedule 09:51 - 29 Janar, 2018

Të hapur ndaj opozitës për cdo temë. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë i bëri thirrje deputetëve të majtë që të t’i përgjigjen çdo ftese për dialog që kërkon opozita.

 

Dy ditë pas protestës së opozitës, vjen reagimi i kryeministri Edi Rama. Në mbledhjen me grupin parlamentar socialist ai thotë se është i hapur për dialog jo vetëm për reformën në drejtësi.

“Dialogu zhvillohet mbi tema të interesit kombëtar, publik, të përbashkët, e nëse në temën e drejtësisë opozita ka qenë në një pozicion antihistorik kjo është një përgjegjësi e saj, por shpresoj dhe uroj që temën e reformës zgjedhore të ketë dialog, proces dhe një sens urgjence nga palët për të mos i lënë cështjet e reformës zgjedhore për momentin e fundit. Jemi të hapur dhe të gatshëm që edhe në tema të tjera që opozita të kërkojë dialog dhe mirëkuptim të mos jetë shumica jonë problemi”.

Por kryeministri Rama nuk la pa komentuar deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha  se qeveria dhe drejtësia  është e kapur nga krimi.

“Fantazitë e ushqyera nga frika e një pjese të spektrit politik dhe propaganda për me demek kapjen e drejtësisë janë dokrra. Janë dokrra se po të ishte ndryshe askush e jo më pastaj BE, apo SHBA, nuk do të lejonin shfaqjen më të vogël të përpjekjes për të kapur drejtësinë.

Konfirmimin se ditë të mira e presin Shqipërinë, e ka marrë edhe në forumin e Davosit. Një hap larg është vendi ynë nga çelja e negociatave. Dhe ky është një proces që s’ka shans të pengohet apo bllokohet, u tha Rama deputetëve të majtë.

“Në momentin që flasim Shqipëria konsiderohet se i ka kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë. Patjetër që nuk ka moment ndalimi dhe i gjithë procesi vazhdon përditë. Progresi është shënuar”

Në mbledhjen me grupin parlamentar të Partisë Sociliste u diskutuan edhe cështje të bujqësisë apo të kontratave që duhet të lidhen me ujësjellës-kanalizimet, por kreu i qeverisë nuk përmendi në asnjë rast protestën e së shtunës të organizuar nga opozita.

 

/abcnews.al