Rama: Marrëveshja me Greqinë, për të kthyer atë që humbëm në 2009

schedule22:38 - 16 Shkurt, 2018

schedule 22:38 - 16 Shkurt, 2018

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se marrëveshja për detin me Greqinë është afër finalizimit. Ne studion e gazetarit Baton Haxhiu në Klan Kosova, Rama tha se palët janë dakordësuar që të ketë një akord të ri, që përfundimisht do të përcaktonte sovranitetin e Shqipërisë mbi territoret e veta.

Ai ka mohuar se ky proces të jetë i ngjashëm me atë të demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, ndërsa ka qenë i ashpër me opozitën shqiptare, duke theksuar se bisedimet me Greqinë po bëhen për të kthyer atë që u humb kur opozita e sotme ishte në pushtet.

“Ne kemi bërë një proces të vështirë, me tension të ngritur, sepse nuk kemi pranuar të heshtim përballë këtij problemi serioz, që ka të bëjë me integritetin territorial të Shqipërisë, për të drejtat e çamëve, për ligjin e luftës”, u shpreh kryeministri Rama.

“Marrëveshja e re nuk do të jetë përsëritje e marrëveshjes së vjetër”, garantoi Rama.

Ai u shpreh i sigurt se edhe presidenti i Republikës do ta mbështesë këtë proces.

“Nuk mendoj që presidenti e refuzon, por se ai ka gjithë të drejtën e vet që ta qëmtojë këtë proces”, deklaroi Rama në studion e Klan Kosovës.

“Nuk dua të mendoj se presidenti është përfshirë në agjendë politike, për ta dëmtuar këtë proces. Përkundrazi, besoj se presidenti do që të jetë i qartë dhe i saktë”, tha kreu i qeverisë./abcnews.al