Rama interpelancë me banorë të Kukësit

schedule15:18 - 5 Prill, 2018

schedule 15:18 - 5 Prill, 2018

Nga sot qeveria ka nisur zyrtarisht informimin e banorëve të Kukësit dhe përdoruesëve të rrugës së Kombit për tarifat që do të vendosen për pagesën e mirëmbajtjes së kësaj rruge. Kryeministri Edi Rama në interpelancën që zhvilloi me këshilltarë të bashkisë dhe qarkut të Kukësit u kërkoi ndjesë që nuk kishin dhënë informacionin e nevojshëm më herët por brenda 60 ditësh do të jetë gati marrëveshja që do të arrijnë me koncensionarin për tarifa të reduktuara për përdoruesit e shpeshtë.

La sallën e Kuvendit për t’u takuar me përfaqësues të banorëve të Kukësit. Jo drejtpërdrejtë por virtualisht.

Në interpelancën e thirrur, nga njëra anë e ekranit janë kryesisht këshilltarët të bashkisë dhe qarkut Kukës. Dhe nga ana tjetër kryeministri Edi Rama me në krah ministrin e energjisë dhe  infrastrukturës Damian Gjiknuri . U kërkon ndjesë përsëri pse ky takim nuk është bërë kohë më parë.

“Përsa ne nuk kemi arritur të bëjmë nga pikëpamja shpjegimet e domosdoshme ju kërkoj ndjesë të gjithëve sepse kjo pjesë është pjesë e përgjegjësisë sonë”-u shpreh Rama.

Në informimin e parë zyrtar për tarifimin e rrugës së kombit, kryeministri i siguron se pas 60 ditësh do të kenë formula të reja të pagesës për përdoruesit e shpeshtë.

“I kemi dhëne vetes dhe juve 60 ditë kohë për ta bërë këtë sa më shpejt dhe për ta bërë sa më mirë që të mos bëjmë të nxituar. Ne nuk do ta rivendosim funksionimin e sistemit tëpagesës  përpara 60 ditësh, pa konkluduar formulën”.

Kjo nuk do të thotë tërheqje për kreun e qeverisë, por vullnet për të dëgjuar dhe për të reflektuar.

“Kryetarit të bashkisë Kukës i them sot që jo vetëm nuk jam tërhequr, por po vazhdoj një proces që duhet ta kishim bërë më përpara, kjo është e vërtëte dhe për këtë kam kërkuar ndjesë. Unë nuk e konsideroj veten të pagabueshëm, as tek ata që nuk dëgjonë. Kam dhënë prova që nëse nuk i parashikoj si duhet gjërat jo për qëllime të këqija, por sepse gaboj, por nëse njerëzit insistojnë unë dëgjoj”.

Tonet janë më të zbutura ndaj etiketimit të protestuesëve të ndaluar. Por kjo nuk ndikon në reagimin e tij ndaj kërkesave për lirimin e 11 prej tyre.

“Thirrja për të liruar këta e ata është në adresë të gabuar te unë, për shkak se ky është një proces që i takon organve të drejtësisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!