Debati për Teatrin Kombëtar është zhvendosur edhe në rrjetet sociale. Kryeministri Edi Rama këmbëngul se opinioni i shumicës së aktorëve dhe regjisorëve është pro shembjes së tij, ndërsa për kryetarin e Partisë Demokratike ky projekt është aferë e pastër korruptive.
Edhe në një ditë pushimi Teatri Kombëtar është një vijë e kuqe në marrëdhënien Rama-Basha. Fizikisht nuk dihet se sa larg ranë por virtualisht i përgjigjen njëri –tjetrit edhe pse jo drejtëpërdrejtë.
Kryeministri Edi Rama e nisi mëngjesin e të dielës me një tjetër deklaratë pro shembjes së teatrit Kombëtar. Këtë ditë zgjodhi regjisorin e njohur të këtij teatri, Mihallaq Luarasi. Ai sot nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij shkruan kreu qeverisë.
“Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri. Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar”.
Refren tjetër ka kryetari I Partisë Demokratike. Lulzim Basha është i bindur se puna e teatrit është ” loja” 200 milionë euro!
“Hajduti psiqik Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro, dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla”.
Këtë e ilustron me një video ku siç shprehet kryedemokrati është përshkrimi grafik i planit Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës për 6 kullat 200 milionë euro, arsyeja e vetme për prishjen e Teatrit Kombëtar. /ABC News Albania 24/7


