Kryeministri Edi Rama deklaroi se projektet e mëdha të investimeve nuk mund të përcaktohen nga protestat apo grupet e interesit që kundërshtojnë në rrugë, por nga mandati i dhënë përmes votës së qytetarëve.
Sipas Ramës, projekti në fjalë është pjesë e angazhimeve të prezantuara gjatë fushatës elektorale dhe mbështetet në mandatin që qytetarët i kanë dhënë qeverisë përmes votës.
“Çështja e investimit është një çështje, që nuk e përcaktojnë protestat dhe nuk e përcaktojnë ata që dalin në rrugë dhe thonë: do vendosim ne, sepse ne jemi populli. Si populli? Po ata që votojnë, nuk janë populli ata.
Jo 5000 veta, por 500 000 të dalin në shesh nuk mjaftojnë, sepse mbi 800 000 kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS. Për çfarë e kanë bërë marrëveshjen. Ky investim nuk doli krejt papritur. Unë e kam thënë në fushatë, do bëjmë një gjë kështu dhe një gjë ashtu..”, tha ai.


